E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i biznesit, pas mbylljes së QKR-së të dhënat mblidhen nga INSTAT-i



Ervin KOÇI

Pas dështimit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit e cila prej disa kohësh nuk po funksionon më, të dhënat për subjektet e biznesit në vend duket se do ti grumbullojë Instituti i Statistikave. Ky institucion ka nisur kohët e fundit nga rekrutimi i stafit të gjerë të ekspertëve dhe anketuesve, të cilët në ditët në vijim pritet që të nisin anketimin dhe grumbullimin e të dhënave në çdo subjekt privat. INSTAT-i ka planifikuar që të nisë fushatën për regjistrimin e bizneseve në mbarë vendin, ku për këtë qëllim do të përdorë një mori njerëzish si dhe të gjithë informacionin ekzistues të trashëguar nga QKR-ja dhe Administrata Tatimore. Plani për klasifikimin e saktë të ndërmarrjeve, enteve ekonomike private është ligjëruar dy ditë më parë me votën pro që i dha Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Ajo që shqetëson palët në këtë proces është nxjerrja e të dhënave sekrete në shërbim të konkurrentit, pasi në regjistër do të jenë emrat e pronarëve, administratorët, aksionerët dhe pjesëmarrja e tyre në kapitale, e deri te xhirot e aktivitetit. Por përfaqësuesit e INSTAT-it garantojnë respektim të privatësisë, madje kanë vendosur në dy nene të projektligjit masa të forta ndëshkuese deri në 100 mijë lekë për ato që shkelin ligjin.

Projekti

Projekti i ri i regjistrimit të të dhënave është pjesë e programeve të financuara nga Bashkimi Europian dhe kushton rreth 2.5 milionë euro, ndërsa regjistrimi mund të nisë në fillim të vitit, sapo të përfundojë tenderi. Gjatë miratimit të projektligjit "Për regjistrin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore", anëtarët e komisionit paraqitën sugjerimet e tyre, duke ndryshuar disa nene. Debate pati për kriteret e marrjes në punë të personave që do të përfshihen në projekt, pasi propozimi i INSTAT-it nuk i përcaktonte qartë kushtet. Në tërësi projektligji kishte shumë defekte teknike, lapsuse dhe përkthime gabim, duke krijuar konfuzion në komision, aq sa për 19 nene u deshën rreth 1 orë e gjysmë debate. Regjistrimi i njësive ekonomike (ndërmarrjet) shërben për qëllime statistikore, jo thjesht si numër biznesesh në vend, por për detaje më të shumta, si prezenca e biznesit të huaj, ndarja e kapitalit, përqendrimi në rajone, klasifikimi (i vogël apo i madh), prezenca në sektorë të ndryshëm, etj. INSTAT-i ka ndërtuar në vitin 1994, regjistrin administrativ të ndërmarrjeve dhe në vitin 1998, regjistrin statistikor. Burime të INSTAT-it sqarojnë se QKR-ja përmban të dhëna vetëm për bizneset e regjistruara në dy vitet fundit, duke mos pasur një ide të qartë të të dhënave.

Bllokimi i QKR-së

Bllokimi i faqes së internetit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit ka krijuar probleme për biznesin. Përfaqësuesit e sipërmarrjes private shpjegojnë se, kontrolli on-line i të dhënave mbi regjistrimin e subjekteve private apo ndryshime të tjera, është një lehtësi e madhe për ta dhe rrjedhimisht, bllokimi i saj përkthehet në humbje kohe, në një moment që biznesit i duhet shpejtësi në kryerjen e procedurave. Përfaqësuesit e biznesit i propozojnë qeverisë një alternativë të dytë për kontrollin dhe ruajtjen e të dhënave, ashtu siç është praktika sot edhe në shumë vende të botës. Tashmë prej ditësh, faqja e internetit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit nuk punon, duke e bërë të pamundur marrjen e informacionit nga ana e biznesit dhe e mediave. E njëjta situatë ka ndodhur pak kohë më parë edhe në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Kjo ndodh në një kohë kur kryeministri Berisha propagandon me të madhe nismën “Shqipëria në moshën e internetit”.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›