E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident fatal në autostradë, gjejnë vdekjen dy të rinj

 

DURRES - Tre autovetura përplasen me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një aksident me bilanc tragjik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, përgjatë autostradës Durrës-Tiranë, pranë fshatit Shën-Vlash. Duket se ka qenë një parakalim i gabuar ai që solli më pas përplasjen zinxhir të tre mjeteve që udhëtonin në drejtim të kryeqytetit. Të rinjtë Jetmir Mazreku dhe miku i tij Alban Sallaku kanë gjetur vdekjen brenda një kohe të shkurtër. Viktimat e moshave 20 dhe 22 vjeç, banorë të Durrësit dhe Krujës, udhëtonin në autoveturën e tipit "Golf" me targë AI 518 SS. Në aksident janë përfshirë edhe dy makina të tjera të markave "Seat" me targë DR 1491 E dhe "BMW", TR 5524 N. Veç dy jetëve të humbura, bilanci i aksidentit rëndohet edhe me plagosjen e Hysen Barushit dhe Teo Alikllarit, të cilët sipas bluzave të bardha janë jashtë rrezikut për jetën. I lënduari 22-vjeçar Barushi, banor i Durrësit ndodhej në veturën që drejtohej nga Edmond Barushi. Policia nuk ka dyshim se veç shpejtësisë së madhe, aksidenti mund të jetë provokuar edhe nga errësira apo përgjumja e ndonjë shoferi. Autostrada me drejtim Tiranën ka mbetur e bllokuar deri në orën 04:00 të mëngjesit, kohë kjo e domosdoshme për të hetuar dinamikën e përplasjes. Me t'u përfunduar akt-ekspertimi, tre makinat janë dërguar në pikën e grumbullimit të autoveturave në Durrës. Policia po tregohet e matur duke mos deklaruar deri më tani fajtorin që do të përballet me togat e zeza të gjykatës. Sipas policisë lokale, në momentin e aksidentit makina "Seat" drejtohej nga Barushi, ai "BMW" nga Kujtim Troci, ndërsa në timonin e "Golf"-it gjendej 20-vjeçari nga Durrësi, Jetmir Mazreku. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke u dhënë fillimisht ndihmën e parë të lënduarve. Më pas ajo ka kryer akt-ekspertimin dhe zhvendosjen e makinave të përplasura, me qëllim lirimin e aksit rrugor. Sipas hetuesve ende nuk është përcaktuar qartë mekanizmi i goditjes së parë, i cili më pas provokoi edhe implikimin e autoveturave të tjera.                           o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›