E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Sherifi në 10 poetët më të mirë frankofonë

 

ALMA MILE

Poeti franko-shqiptar, Skënder Sherifi shpallet si një nga 10 autorët më të mirë të Europës frankofone për vitin 2008, me vëllimin “Love”. Ky vlerësim është rezultat i opinionit të shtypit belg profesional, i cili ka seleksionur 10 librat më të mirë të të gjithë vitit 2008 në Belgjikë, sipas shijeve, dhe kritereve personale të gazetarëve të artit e kulturës. Skënder Sherifi, shkrimtari shqiptar i Europës frankofone, i cili jeton prej moshës 1-vjeçare në Francë dhe Belgjikë, është autor i 10 librave të shkruar në gjuhën frënge. Vetëm 3 prej tyre janë  përkthyer në shqip, mes të cilëve “Lojë dhe Kundërlojë” dhe “Oksigjeni “ janë shqipëruar nga vetë Prof. Doc. Ibrahim Rugova, presidenti karizmatik kosovar, si dhe “Ateljeri i ëndrrave” nga Albert Nikolla, i botuar në Tiranë nga shtëpia botuese  “Globus R”.  Kurse gjithë vëllimet e tjerë të Sherifit presin një përkthim në shqip. Pavarësisht faktit që autori është formuar nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës frankofone, Skënder Sherifi e ka ruajtur me një vullnet të afirmuar, identitetin e tij shqiptar, e ka kultivuar në mënyrën e vet origjinale, atë pjesë të origjinës së tij. Ka kaluar 4 vjet në Prishtinë (1976 - 1980) për të ushqyer pjesën e tij shqiptare, dhe pastaj prej vitit 1990, duke ardhur rregullisht në Shqipëri, për të ruajtur një lidhje shpirtërore të privilegjuar me tokën e të parëve, me gjenezën e tij, aty ku buron prejardhja e familjes së tij, buzë lumit Valbonë, në bjeshkët e Tropojës.
Autorit i është ofruar Parisi në vitin 1976 nga autori dhe botuesi i famshëm Pierre Seghers, i cili ishte i mahnitur, nga talenti i rrallë i këtij poeti me origjinë shqiptare. (“Kam parë një fenomen të tillë në çdo 10 vjet në Paris”, - thoshte Seghersi). Në vitin 2003 do të hynte në  Fjalorin prestigjioz francez të Larusit (LAROUSSE ), i cili boton në çdo 20 ose 25 vjet, një enciklopedi të plotë të letersisë botërore. Në këtë enciklopedi Skënder Sherifi figuron në mesin e elitës letrare internacionale, në familjen e shkrimtarëve më të mirë në botë, por figuron si “shqiptar frankofon” në mesin e 26 autorëve shqiptarë më të rëndësishëm, dhe origjinalë të të gjitha kohërave, prej nga fillimi i shkrimit në gjuhën shqipe dhe në 4 ose 5 autorët e gjallë më të mëdhenj të shekullit 20. Autori, me dëshirën e tij të plotë ia ofron kombit shqiptar, dhe e konfirmon vetë disa herë nëpër  mediume, veprën e tij letrare. Autori është shumë i vlerësuar nga kritika e huaj, sidomos ajo e botës frankofone. Si vlerësim dhe konfirmim i fundit, shtypi belg e klasifikon në 10 autorët më të mirë të Europës  frankofone me librin e tij të fundit “LOVE”. Ky mendim vjen nga shijet dhe kriteret letrare, personale të gazetarëve profesionalë të artit dhe kuturës, të gazetës prestigjioze belge të përditshme “LA LIBRE BELGIQUE”, një nga dy gazetat më të mëdha në vend. Mes gjithë morisë së librave, të botuar gjatë vitit 2008 në Belgjikë, në të gjitha zhanret, si poezi, roman, esse, monografi etj., shtypi belg ka ardhur në përfundimin që  libri “ LOVE “ i autorit Skënder Sherifit meriton të vlerësohet në 10 librat më të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›