E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Krasniqin e vrava se më kishte borxh"

 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

"Unë e vrava Bujar Krasniqin. Më kishte lekë borxh". Kështu e nisi dëshminë e tij 30-vjeçari Klodian Prençe, dje në Gjykatën e Lushnjës. I akuzuar për vrasje dhe djegie të personit në rrethana rënduese, Klodian Prençe rrëfeu gjithçka kishte ndodhur mëngjesin e 30 marsit. Deklarata e tij me nota urryese karshi viktimës dhe pa asnjë shfaqje pendese shokoi të gjithë ata që ndoqën seancën gjyqësore, në përfundim të së cilës u vendos masa e sigurisë "burg pa afat". Vrasësi nuk ka reaguar për asnjë moment, teksa akuza referoi para trupit gjykues skenarin e kësaj ngjarjeje tragjike. Tepër i qetë, i riu dëgjoi e më pas tregoi me gojën e tij se si e kishte vrarë e më pas djegur 45- vjeçarin Krasniqi. "E ruajta Bujarin që kur ishte pa errur mirë. E prita sa piu kafen në lokalin e fshatit dhe pastaj u largua për në shtëpi. Prita sa të binin në gjumë. Nuk e dija se sa ishte ora, por veprova kur u sigurova që të gjitha dritat në shtëpi u shuan dhe në banesë nuk kishte asnjë zhurmë. Më pas hyra në banesë fare lehtë dhe u futa te dhoma e Bujarit. Ai më ndjeu dhe u çua i trembur. I kërkova lekë. Më kishte borxhe, pse të mos ia kërkoja? U përleshëm aty për pak dhe pastaj u detyrova ta qëlloja me armë. Pas kësaj e dija që do dyshonin tek unë dhe i vura flakën. Fëmijët i pashë që flinin në dhomën tjetër dhe nuk i luajta fare". Ka qenë kjo dëshmia tronditëse e Klodian Prençes në gjykatë. Gjatë gjithë deklaratës së tij, 30-vjeçari dukej tepër i qetë dhe aspak i penduar. Të vetmet reagime të tij ishin kundër mediave, duke i kërcënuar ato ta linin të qetë. Pas deklaratës së të pandehurit reaguan të afërmit e tij të ndodhur jashtë mureve të gjykatës. Sipas tyre, asgjë nga thëniet nuk janë të vërteta. Sipas tyre, Klodiani kishte deklaruar se Bujari i kishte borxh atij rreth 6 milionë lekë. "Kjo gjë nuk mund të ndodhte kurrsesi. Ai nuk ishte tip i besueshëm dhe asnjëherë nuk mund të hiqte mënjanë një shumë kaq të madhe lekësh, pasi ai jetonte si endacak me thërrime, duke mos përballuar dot jetesën. Variantin e rrëfyer nga Prençe u hodhën poshtë edhe familjarët e viktimës Bujar Krasniqi. Sipas tyre, ai nuk i kishte marrë asnjë qindarkë borxh Prençes, pasi ky i fundit ushqehej si të mundej për vete. "Bujari nuk do të merrte borxh një shumë kaq të madhe pasi punonte në Greqi, aq sa të siguronte të ardhura të mjaftueshme për familjen e tij" thanë ata. Gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore, u vu re mungesa e familjarëve të 30-vjeçarit. As babai dhe as xhaxhallarët nuk kanë pranuar të shkojnë në gjykatë, duke i qëndruar sërish deklaratës së tyre pas ngjarjes për dënimin maksimal të tij, deri në ekzekutim. Të vetmit që prisnin në portën e gjykatës ishin të afërm të familjes Krasniqi, si dhe disa kushërinj të largët të autorit të vrasjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›