Punë jashtë burgut të dënuarve
Armand Bajrami
Punësim jashtë hekurave të qelive për personat që vuajnë dënime me burg në Shqipëri. Puna e tyre do të paguhet dhe paga e të burgosurit nuk mund të jetë më e ulet se paga minimale e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Risia vjen pas miratimit nga Ministria e Drejtësisë pak ditë më parë të "Rregullores së përgjithshme të burgjeve". Sipas rregullores së re, të burgosurve, përveç punësimit brenda burgut, do t'u behët e mundur edhe punësimi jashtë ambienteve të tij. Rregullorja saktëson shpërblimin për punën, mënyrën e vlerësimit të saj, si edhe procedurat që duhet të ndjekë i burgosuri për ta përfituar atë. Gjithashtu në rregullore saktësohen edhe mënyra që do të lidhen kontratat e punës mes të burgosurve dhe punëdhënësve dhe se ato nuk duhet të ndryshojnë aspak me kontratat e personave që janë në gjendje të lirë. Në rregullore nuk pasqyrohen detaje rreth sigurimit të të burgosurve në rastet se vendpunësimi i tyre do të jetë jashtë qelive.
PUNA NE "LIRI"
Në një nga nëndarjet e pikës 4 të nenit 83 thuhet se të burgosurit mund të punojnë duke lidhur kontrata pune "me persona të tretë juridikë, vendas apo të huaj për punë, e cila mund të kryhet brenda ambjenteve të burgut, apo jashtë tij, nëpërmjet apo me aprovimin e drejtorit të institucionit". Pagesa e të burgosurit në këtë rast do të variojë nga 17 mijë lekë në muaj ose më shumë. Kjo pasi në rregullore përcaktohet se "Paga për punën e të burgosurit, nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave". Të ardhurat e fituar nga puna e çdo të burgosuri do të depozitohen në llogaritë e tyre personale. Ata mund të autorizojnë familjarët e tyre të tërheqin para nga këto llogari, me kusht që në llogari të lihet detyrimisht një shumë jo më e vogël se gjysma e pagës minimale mujore e një muaji. Ndaj çdo kërkese për punësim të paraqitur prej të burgosurve te Drejtori i Burgut, nga ky i fundit do të merret parasysh natyrën e punës për të cilën i burgosuri ka paraqitur kërkesë, gjendjen ekonomike të familjes së tij, kohën e qëndrimit në burg, mënyrën e sjelljes së të burgosurit, aftësitë profesionale të tij. Duke u bazuar në këto kritere drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale vlerëson rrezikshmërinë dhe sigurinë dhe vendos mbi punësimin e të burgosurit brenda apo jashtë burgut.
Statusi, jo kriter në kontratë pune
Sipas rregullores së re, kontratat e punës për të burgosurit nuk duhet të përmbajnë kushte më pak të favorshme se ato të parashikuara në kontratën e punës për punëmarrësit në gjendje të lire, me përjashtim të kufizimeve që rrjedhin nga aktet ligjore dhe nënligjore për këtë kategori të punësuarish. Ndërsa punëdhënësi, veç të tjerash, duhet të parashikoje edhe transportin e punonjësve në qendrën e punës, në rastin e punës jashtë ambienteve të burgut.