“Kështjella” e Kadaresë ndër romanet e huaj më të mirë
Qëndresa e një kështjelle shqiptare mesjetare, ndaj sulmeve të një ushtrie të panumërt otomane, duket se ka tërhequr boll vëmendjen në perëndim. Shkrimtari Ismail Kadare dhe romani i tij “The Siege”, prezantuar një vit më parë në Londër, është një ndër pretendentët kryesorë për çmimin letrar që ndan gazeta “The Indipendent” për romanin e huaj më të mirë. Lista e titujve për çmimin “Indipendent”, tashmë është ngushtuar në gjashtë. Këtë herë surprizat janë edhe më të mëdha. Histori të veçanta, stile unike dhe kultura të ndryshme. Në këtë listë prej 6 emrash, zgjedhur mes 16 syresh, që u shpallën gati një muaj më parë, spikasin dy autorë latino-amerikanë. Evelio Rosero dhe Juan Gabriel Vásquez vijnë nga Kolumbia. Sipas organizatorëve, për një vend si Kolumbia me 45 milionë banorë, atdheu i Gabriel Garsia Markezit, një autor nuk do të mjaftonte për t’i thënë të gjitha.
Një tjetër finalist është shkrimtari në mërgim, Ma Jian. Pasi la Republikën Popullore për Hong Kongun e më tej për Evropën, ai krijoi romanin epik mbi lëvizjen demokratike kineze të vitit 1989 dhe disfatën e saj. Mes Izraelit dhe Afrikës perëndimore, AB Yehoshua, është një tjetër konkurrent për çmimin prej 10 mijë sterlinash. Për të vijuar me parizienen Celine Curiol. Ndërkaq, Ismail Kadare, i cili ka bashkëpunuar sërish me përkthyesin David Bellos, i cili ka sjellë në anglisht versionin francez të Jusuf Vrionit, ka hyrë në listën e ngushtë me romanin e tij “Kështjella”. Në përshkrimin që i bëhet çdo autori, në listën e shpallur dy ditë më parë, Kadare përshkruhet si “mjeshtri i mërguar shqiptar”. “Kështjella” është një nga veprat e para të shkrimtarit, që daton në vitin 1970 dhe vazhdon të mahnisë lexuesin e huaj, me mjeshtërinë e të shkruarit dhe kulturat që prezanton. Konkurrentët janë përzgjedhur nga një juri e përbërë nga Linda Grant, Kate Griffin, Fiona Sampson, Mark Thwaite dhe Boyd Tonkin. Sipas “The Indipendent”, fituesi i këtij çmimi të rëndësishëm letrar do të ndahet në 14 maj. Çmimi i “The Indipendent” është vlerësimi më i mirë në vend për letërsinë bashkëkohore të përkthyer, një dritare e çmuar në botën e fiksionit dhe një nxitje për një art jo fort të vlerësuar.
I hapur për të gjithë autorët dhe çdo vepër narrative të përkthyer dhe publikuar për herë të parë në Britaninë e Madhe në harkun kohor 2008, këtë vit konkursi ka thithur një numër rekord rekomandimesh, plot 126.