Gjirokastra e fillimshekullit XX në fotografi
“Gjirokastra në fillim të shekullit XX” është titulluar ekspozita fotografike e hapur dje në qytetin e gurtë. Ka qenë një iniciativë e konkretizuar nga ana e Drejtorisë Rajonale të Turizmit dhe Kulturës Kombëtare, e cila ka pasur si bashkëpunëtorë edhe Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, shoqatës “Dante Aligeri” si dhe të Studio “Vito”. Në këtë ekspozitë janë sjellë pjesë dhe copëza të qytetit të gurtë në fillim të shekullit të kaluar, duke risjellë edhe një herë në kujtesën dhe vëmendjen e opionionit gjirokastrit, insertet e para fotografike të pazbuluara më parë. Interesimi për këtë ekspozitë ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi për herë të parë silleshin foto nga objekte karakteristike të qytetit që tashmë nuk ekzistojnë. Ura e ujësjellësit të vjetër të qytetit, ngritur nga Ali Pashai, ish- godina e Prefekturës, ish-Kinemaja e vjetër e qytetit e shumë të tjera, kanë qenë objektet që dikur kanë qenë pjesë e qytetit të gurtë, por që me zhvillimet urbanistike vit pas viti, ato u shembën apo u transformuan. Sipas organizatorit, Spartak Drasa, njëkohësisht drejtor i Drejtorisë së Turizmit dhe Kulturës Kombëtare, në këtë ekspozitë u paraqitën rreth 50 fotografi të zonave karakteristike të qytetit, si kështjella, pazari karakteristik, ujësjellësi i gurtë i kalasë etj., të cilat kanë një ndjeshmëri dhe afeksion nostalgjie për çdo gjirokastrit, apo dhe për ata që mbajnë mend detajet fotografike të dikurshme të qytetit. Fotografitë janë realizuar nga fotografë të ndryshëm në vitet e para të shekullit të kaluar, duke mbartur kështu krahas vlerave artistike edhe një dëshmi dokumentare të Gjirokastrës së atyre viteve.