E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, nxënësit apel për shokun 11-vjeçar

 

BURREL - Nxënës e mësues të dy shkollave 9-vjeçare në qytetin e Burrelit prej ditësh sensibilizojnë qytetarët për t'i ardhur në ndihmë nxënësit të klasës së gjashtë, Ahmet Lami. Deri para dy muajsh, 11-vjeçari vijonte normalisht mësimin në shkollën 9 vjeçare "Ilia Qiqi". Por një sëmundje gjaku e ka detyruar atë dhe prindërit e varfër të enden dyerve të spitaleve, sidomos në kryeqytet. Banka ku ishte ulur djali burrelas ka mbetur bosh, ndërkohë shoqet dhe shokët e klasës vazhdojnë të grumbullojnë të holla për bashkëmoshatarin e tyre. Me një kuti të Kryqit të Kuq, Dega Mat, ata kanë lëvizur nga një klasë në tjetrën, nga një shkollë në tjetrën dhe kanë gjetur mbështetje për nxënësin e sëmurë. Nxënësit e "Ilia Qiqit" tregojnë se Ahmeti është një nxënës i zellshëm, i sjellshëm dhe i dashur. Familja e tij ka plot probleme dhe e ka të pamundur ta dërgojë atë jashtë kufijve shtetërorë. Disa herë i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk kanë marrë një përgjigje për dërgimin e djalit të tyre në një klinikë jashtë vendit. Drejtori i shkollës, Sami Kola dhe mësuesja kujdestare, Shpresa Daçi thonë se Lami më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmë në këto momente kur gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Kontributit të nxënësve të shkollës publike "Ilia Qiqi" i janë bashkuar ditët e fundit dhe nxënësit e shkollës private "Nëna Mbretëreshë, Geraldinë".                                        h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›