E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, gjenden 3 celularë te hekurat e krevateve

 

BURREL - Pas një jave kontrollesh të imtësishme zbulohen 3 celularë në burgun e Burrelit. Drejtuesit e burgut kishin informacion për praninë e objekteve të ndaluara në qelitë e sigurisë së lartë. Megjithëse fakti dihej, gjetja e celularëve ishte gati e pamundur, derisa ditë më vonë u arrit zbulimi. "Për ditë me radhë kemi kontrolluar qelitë dhe nuk arrinim t'i gjenim celularët. Kemi përmbysur gati gjithçka dhe nuk arrinim të kuptonim cila ishte mënyra që të dënuarit kishin shpikur për të mbajtur celularë në qelitë e vuajtjes së dënimit", sqaruan gardianë të këtij burgu. Mësohet se gjatë kontrollit të fundit, pas një analize të thellë në drejtorinë e këtij institucioni, është zbuluar se celularët mund të ishin fshehur në profilet e krevateve të fjetjes. Grupet e sigurisë nën drejtimin e nëndrejtorit të Burgut të Burrelit, Nezir Sinani kanë rinisur dje paradite kontrollin e qelive, ku dyshohej se ishin fshehur celularët. Tre dhoma të seksionit A janë boshatisur nga të dënuarit dhe ka nisur një kontroll i imtësishëm. "Ne dyshojmë se janë prerë me brisqe "Big" anësoret e profileve, duke shfrytëzuar kohën e mjaftueshme e durimin e madh", thanë të njëjtat burime. Sapo policia e burgut ka zbuluar sendet e ndaluara ka vënë në dijeni Prokurorinë e rrethit Mat, për hetuar mënyrën e futjes së celularëve në qeli dhe ndëshkimin e të dënuarve që i mbanin ato. Drejtoria e burgut nuk publikoi emrat e te dënuarve që mbanin celularë pa lejen e autoriteteve të burgut, por u pohua se të tjera kontrolle vazhdojnë në të gjitha qelitë e këtij burgu.                                                                  h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›