E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident me 40 km në orë! Mbyllet dosja "Trebicka"

Ekspertët shqiptarë, që kryen ekspertizën autoteknike të makinës së Kosta Trebickës, ndajnë të njëjtin mendim me ekspertin amerikan, Kevin Teter, duke përcaktuar aksidentin si shkak të vdekjes së dëshmitarit të drejtësisë. Dje ekspertët kanë dorëzuar në Prokurorinë e Korçës konkluzionet e tyre, të cilat i janë bashkuar dosjes voluminoze për rastin e vdekjes së papritur të biznesmenit shqiptaro-amerikan. Sipas ekspertëve vendas, vdekja e Kosta Trebickës ishte pasojë e një aksidenti automobilistik, ndërsa shpejtësia me të cilën udhëtonte mjeti ishte më e vogël se 40 kilometra në orë. Ekspertët shqiptarë e kanë kryer aktin e kontrollit pas amerikanit Kevin Teter dhe dje kanë dorëzuar raportin përfundimtar pranë grupit të hetimit në Prokurorinë e Korçës. Ndërkohë, organi i akuzës në këtë rreth është duke përpiluar dhe konkluzionet përfundimtare për këtë ngjarje. Nga burime të brendshme të prokurorisë mësohet se provat e mbledhura dhe konkluzionet e ekspertëve po e çojnë grupin hetimor drejt deklarimit të një aksidenti automobilistik.

Burimet pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se dje është dorëzuar nga dy ekspertët shqiptarë të aksidenteve automobilistike akti përfundimtar i kontrollit autoteknik. Specialistët kanë kryer matjet dhe përllogaritjet e tyre, duke dhënë dhe një version për shpejtësinë me të cilën lëvizte makina pak para ngjarjes fatale, element ky që i mungonte aktit të ekspertimit të bërë nga specialisti amerikan, Kevin Teter.

Kështu, sipas aktit të ekspertimit të specialistëve shqiptarë, makina tip "Nisan Patrol", me të cilën udhëtonte Kosta Trebicka, lëvizte me një shpejtësi të vogël, që nuk i kalonte 40 kilometrat në orë. Burime nga Prokuroria e Korçës bënë me dije se ekspertët kanë shkruar në aktin e tyre që shpejtësia varion nga 30-40 kilometra në orë.

Ndryshe nga eksperti amerikan, që e ka lënë enigmatike shpejtësinë, duke mos u shprehur për të, ekspertët e aksidenteve automobilistike në Korçë e kanë përllogaritur atë, duke sqaruar edhe se "megjithëse shpejtësia e mjetit ka qenë shumë e ulët, nuk është mundur të shmanget aksidenti dhe më tej akoma vdekja e drejtuesit të tij, Kosta Trebicka".

Në këtë konkluzion të ekspertëve thuhet gjithashtu se manovrimi i menjëhershëm i makinës me një lëvizje të shpejtë të timonit në krahun e majtë ka ardhur për pasojë e një elementi të jashtëm, që mund t‘i ketë prerë rrugën makinës së Trebickës në segmentin rural Voskopojë-Lekas.

Nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë qeni i gjahut që t‘i ketë prerë rrugën, ose ndonjë kafshë tjetër që e ka detyruar Trebickën të bëjë një manovrim të shpejtë, duke prerë timonin majtas, duke provokuar në këtë mënyrë përmbysjen e mjetit që ka shkaktuar edhe vdekjen e tij.

Sikundër amerikani nga Virxhinia, edhe ekspertët shqiptarë mendojnë se gjatë rrotullimit të mjetit, Kosta Trebicka ka dalë jashtë tij nëpërmjet tavanit të hapur dhe më pas është shtypur në kokë nga një cep i makinës, duke marrë dëmtime fatale.

Pavarësisht hipotezave dhe dyshimeve të ngritura për vdekjen e dëshmitarit kryesor të trafikut të armëve, ekspertët autoteknikë mundohen të ilustrojnë me prova shkencore versionin e një aksidenti fatal.

Ndërkohë, edhe pas dy akt ekspertimeve të pavarura, ka mbetur pa një shpjegim të qartë fakti pse makina ka mbetur e ndezur dhe në afoljo.

Mësohet se Prokuroria e Korçës është duke hartuar konkluzionet e saj përfundimtare të hetimit, duke pasur tashmë një pistë të vetme hetimi, që është ajo e një aksidenti tragjik.

Grupi hetimor është duke mbyllur dosjen dhe pritet që në ditët në vijim të dilet me një deklaratë zyrtare për rezultatet e hetimit.

12 shtator

Vdekja e biznesmenit, nuk kishte asnjë dëshmitar

Kosta Trebicka vdiq mesditën e 12 shtatorit, në vendin e quajtur Kulet e Gjergjevicës, tre kilometra larg Voskopojës. Trupi i pajetë i biznesmenit shqiptaro-amerikan u gjet në rrugë rreth dy orë pasi kishte vdekur, nga pasagjerët e një furgoni që kalonte në atë rrugë të parrahur rurale. Ekspertët mjekoligjorë deklaruan se shkak i vdekjes së Kosta Trebickës ishte politrauma, që është karakteristike për aksidentet automobilistike. Ekspertët dalluan dëmtime të ndryshme në trupin e Trebickës, por përcaktuan si vdekjeprurës dëmtimin në kokë, që ishte shkaktuar nga një goditje e fortë. Biznesmeni i njohur për shkak të hetimeve mbi tregtinë e dyshimtë të armëve, i kishte dëmtimet më të rënda në nofulla dhe në pjesën poshtë veshit, ndërsa kishte pësuar shembje edhe në kraharor. Sipas familjarëve, Kosta Trebicka ishte nisur për gjueti në Leskovik, por nuk dihet përse ai qëndroi në Voskopojë, ku kishte marrë një dhomë hoteli.

Dëshmia

Trebicka regjistroi bisedën ku përmendej djali i Berishës

Kosta Trebicka, anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, u bë i njohur pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Trebicka ishte personi që furnizoi me informacione gazetarët e të përditshme amerikane "New York Times", të cilët publikuan në muajin mars një artikull që ngrinte akuza për falsifikim të origjinës së fishekëve që qeveria amerikane blinte për të furnizuar ushtrinë afgane. Kosta Trebicka kishte pasur fillimisht një kontratë me kompaninë amerikane "AEY", që do t‘i blinte këta fishekë në Shqipëri te kompania shtetërore "MEICO". Kompania e Trebickës do të bënte ripaketimin e fishekëve që do të çoheshin në Afganistan, por kontrata e tij u anulua. Biznesmeni shqiptaro-amerikan regjistroi një bisedë telefonike me presidentin e kompanisë "AEY", Efraim Diveroli, i cili përmendte edhe djalin e Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, si një person i përfshirë në këtë tregti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›