E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon avokati, shtyhet seanca për Shullazin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Emiljano Shullazi. Shkak është bërë mungesa e avokatit mbrojtës. Sipas rendit të ditës, dje avokati do të kryente edhe konkluzionet përfundimtare, pasi prokuroria kërkoi një seancë më parë dënimin e Emiljano Shullazit me 18 vjet heqje lirie. Gjithashtu akuza kërkoi edhe për Ervin Ferhatin 18 vjet heqje lire. I pari është një emër i njohur i botës së krimit dhe akuzohet për organizim, drejtim e financim të një organizate kriminale me qëllim trafikimi. Në bazë të akteve hetimore të dërguara nga Prokuroria e Milanos (Itali) është regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nga këto akte hetimore dhe sipas seancave gjyqësore rezultonte se disa shtetas shqiptarë, në bashkëpunim dhe me shtetas të huaj, në vitin 2004 kanë eksportuar lëndë narkotike në Itali, të cilën e merrnin kryesisht prej një furnitori nga Turqia dhe në disa raste e kalonin transit në Shqipëri. Nga hetimet janë zbuluar gjithsej nëntë anëtarë të kësaj organizate kriminale. Sipas dosjes së përpiluar nga prokuroria, janë gjithsej gjashtë episode të provuara të trafikut ndërkombëtar të drogave të forta, ku kryesisht prova më e fortë janë përgjimet telefonike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›