E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në Elbasan, vdesin tre persona

Makina është përplasur me kamionin që vinte nga Maqedonia. Tre pasagjerët e makinës vdesin në vend

ELBASAN- Tre të vdekur ka qenë bilanci i aksidentit fatal të regjistruar në afërsi të fshatit Xibrrakë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Një mjet tip fiat veturë me targa "EL 9740 A", është përplasur me mjetin kamion me targa Shkupi "ST 460TI".

Makina është shtypur dhe për tre personat e ndodhur në të nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë drejtuesi i mjetit Ismail Zyna, 42 vjeç, me banim në Cërrik, Fatmir Buzo dhe Fatmir Hasa, 45 vjeç.

Ka qenë e vështirë nxjerrja e trupave për shkak të dëmtimit të madh të makinës. Mësohet se mjeti është marrë përpara nga kamioni i drejtuar nga Tomi Jancofski, shtetas maqedonas që punonte si drejtues linje transporti.

Operacioni për nxjerrjen e trupave

Mjeti thuajse ishte shtypur në pjesën e pasagjerit dhe nuk dukej më si një mjet për shkak të dëmtimit. Për tre personat që ndodheshin në brendësi vdekja ka qenë e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur një mjet zjarrfikës, autoambulanca dhe shumë agjentë policie. Skena ka qenë e llahtarshme duke u shndërruar në një arenë të përgjakur.

Policia është munduar të mbajë larg kësaj skene mjetet që kalonin por efekti ka qenë i madh. Tre personat ishin duke u kthyer nga Librazhdi për në Elbasan. Ata banonin në Cërrik. Ende nuk dihet se ku kishin qenë dhe nëse kishin përdorur alkool. Viktimat kanë lënë jetimë fëmijët e tyre duke humbur jetën në aksidentin më të rëndë të regjistruar në territorin e Elbasanit.

Policia

Specialistë të aksidenteve kanë rrethuar vendin dhe kanë bërë edhe procedurat për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Aktualisht mendohet një rrëshqitje e mjetit të vogël nga lagështira dhe përfundimin para rrotave të maunes e cila nuk ka pasur asnjë mundësi frenimi.

Por specialistët nuk nxitohen të dalin në përfundime. Aktualisht është shoqëruar në polici drejtuesi maqedonas. Ai ka dhënë versionin e tij të ngjarjes duke deklaruar se mjeti i ka dalë përpara pa pritur.

Aktualisht nuk ka një dëshmi tjetër. Pritet që përfundimet shkencore të ekspertëve të zbardhin edhe shkakun që solli aksidentin fatal. Aksi nacional Peqin-Elbasan-Qafëthanë konsiderohet më problematiku për sa i përket aksidenteve. Tre viktimat e ditës së djeshme shënojnë emrin në listën e zezë të aksidenteve në këtë rrugë. Ky aksident konsiderohet më i rëndi i muajit dhjetor por edhe i gjithë vitit në rrethin e Elbasanit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›