Berat, OSSH-ja gjobit edhe të vdekurit
ABUZIMI/ Shtëpia e Gëzim Haxhisalës nuk banohet prej 5 muajsh por për nëntorin atij i është vendosur gjobë
Abonentët thonë se edhe pse ankohen, nuk marrin asnjë zgjidhje nga personat përgjegjës në këtë sektor
BERAT - Energjia elektrike për shumë qytetarë po shndërrohet në një makth. Jo vetëm për çmimin e rritur, dhuratë në fund të vitit, por edhe për abuzimet që bëhen në kurriz të tyre.
Sipas shumë prej qytetarëve që mbajnë në xhep një faturë të kripur, punonjës të elektrikut të paraqitur si përfaqësues të sipërmarrësit çek, kanë shkuar nëpër familje të ndryshme dhe në faturë, në fund të muajit, përveç shumës së harxhuar kanë shënuar edhe një pikë tjetër "dëm ekonomik", vlera e të cilit arrin deri në 30 mijë lekë të reja. Sebepi ka qenë se sahati nuk i ka të gjitha vulat, kur dihet që sahatët administrohen nga vetë faturistët.
Njëri prej qytetarëve, Ferdinand Haxhisala, mban në dorë një faturë shitjeje të muajit nëntor 2009 me numër serie 64130962, ku përveç konsumit mujor prej 20 kilovatësh, është shtuar dhe një tjetër shumë prej 2000 kilovatësh nën shtyllën "dëm ekonomik". Kjo faturë thotë ky qytetar, i takon babait të tij të ndjerë, Gëzimit, i cili ka 5 muaj që është ndarë nga jeta. "Babai im ka 5 muaj që nuk jeton më dhe në banesën e tij nuk jeton njeri.
Deri në këtë periudhë ai nuk ka lënë asnjë faturë pa paguar. Punonjësit që thuhet se kanë kontrolluar sahatin, kanë lënë një procesverbal që nuk thotë asgjë. Ata vetë pranojnë se vula kryesore e jashtme e sahatit është e rregullt. Madje e morën sahatin, e kontrolluan, e vendosën përsëri dhe tani sjellin këtë gjobë që nuk e di kush duhet ta paguajë.
Mirë ne të gjallët që jemi mësuar me paradokse të tilla, po të vdekurit përse i trazojnë? Përveç gjobës sime, me të njëjtën shumë më duhet të paguaj edhe dëmin që i është faturuar babait tim të ndjerë", - thotë për gazetën "Shekulli" Haxhisala.
Por si ky qytetar ka disa të tjerë, të cilët ankohen çdo ditë në sportelet e OSSH -së, nga ku marrin përgjigjen standarde: "Paguani njëherë paratë e pastaj shohim e bëjmë" apo "kjo punë zgjidhet vetëm me proces gjyqësor".
Sipas vetë qytetarëve, kjo praktikë që ndodh gjithmonë në çdo fundviti, është abuzive, pasi një vit të tërë po këta punonjës kanë kontrolluar sahatët dhe vetë kanë pasur çelësat e bokseve.
Gjithmonë, sipas tyre, një gjë e tillë ndodh për faktin që faturistët janë bërë si puna e atyre hajdutëve që maskohen nën petkun e punonjësit të policisë, ndryshe nuk do të spekulonin as me emrin e shoqërisë çeke. Për momentin, e vetmja zgjidhje për këta qytetarë mbetet që të paguajnë gjoba për një dëm që nuk e kanë bërë.