E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat aforfe, OSSH Elbasan nuk merr parasysh ankesën e 500 abonentëve

Një muaj më pare, u deklarua se do të shqyrtohen kërkesat. Përgjigja: "Nuk e morëm parasysh kërkesën tuaj"

ELBASAN - Një muaj pas faturimit aforfe për rreth 500 familje, OSSH Elbasan është mjaftuar me një përgjigje të thatë pas ankesës së depozituar nga abonentët: "Nuk e morëm parasysh ankesën tuaj".

Përgjigjja ka ardhur nga Dega e Shitjes nëpërmjet drejtuesit të saj Oligert Kume. Ky i fundit pasi kishte deklaruar se qytetarët që depozituan ankesë, do të njoftohen zyrtarisht një muaj më pas, është mjaftuar me këtë përgjigje nga ana tjetër e telefonit për qytetarët që u kthyen për të disatën herë për të marrë një përgjigje.

Qytetarët që depozituan një ankesë me shkrim, kanë vendosur të depozitojnë një ankesë pranë prefektit të Qarkut duke e cilësuar faturimin aforfe të padrejtë dhe po kështu me një padi të përbashkët do t'i drejtohen gjykatës.

Ndërkohë, grupi i qytetarëve ka përgatitur edhe një letër me firma të cilën do t'ia nisë Avokatit të Popullit. Në nëntor 2009 në lagjen "11 Nëntori" dhe konkretisht në pallatet 580/5, 4, 3, 2, 1 mbërriti fatura aforfe prej 54 mijë lekësh. Nga kjo faturë e majme u prekën edhe pensionistë e familje me qira, të cilët e kishin të pamundur ta paguanin. Të gjendur përballë këtij faturimi absurd qytetarët mbërritën në zyrat e OSSH-së Elbasan ku depozituan ankesën. Zyra e Shitjeve bëri me dije se në harkun kohor të dy javëve do të verifikohej harxhimi. Justifikimi për faturim aforfe erdhi pasi, sipas kësaj zyre, matësit ishin të amortizuar.

Por sigurisht që fajin për matësa të amortizuar nuk kanë sesi ta kenë qytetarët. Mjaft i indinjuar një prej qytetarëve, Nos Sinani, tha se prej vitesh paguan faturat e energjisë dhe ka paguar aforfenë e padrejtë. "Ndihemi të fyer, edhe pse kemi qenë më korrektet në pagesa. Do të ndjekim çdo rrugë, pasi trajtimi ynë i kalon të gjithë kufijtë e korrektësisë ndaj klientit që paguan". Ka të tjerë që nuk e kanë paguar aforfenë dhe kanë hequr dorë nga të qenët korrekt për shkak të këtij faturimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›