Vrasja e policëve në Kukës, "burg përjetë" Afrim Hasanit
VENDIMI
Një javë më parë, prokuroria kërkoi këtë mase dënimi, ndërsa avokati kërkoi dënim më të butë pasi vrasja sipas tij ndodhi nga tronditje psikike
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin e të akuzuarit për ekzekutimin e policëve të qarkullimit, Dobrushi e Hila
TIRANE- Dënohet me burgim të përjetshëm, Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dy punonjësve të policisë së Kukësit, Shkëlzen Dobrushi e Ramazan Hila, me 24 mars të këtij viti në fshatin Shënmri.
Vendimi u dha dje nga trupa gjykuese e çështjes, pasi kishte dëgjuar konkluzionet e avokatit të të akuzuarit që pretendoi se vrasja e kryer nga klienti i tij kishte ndodhur në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike.
Në vendimin e saj Gjykata e cilësoi fajtor Hasanin për disa akuzua, si vrasje të kallëzuesit, vrasje të punonjësit të policisë për shkak të detyrës në krye të detyrës, e akuza të tjera. Gjatë kohës së leximit të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, i akuzuari Hasanaj nuk ndodhej në sallën e gjyqit gjatë seancës së djeshme.
Një javë më parë, përfaqësuesi i akuzës lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dy policëve Ramadan Hila e Shkëlzen Dobrushi, në fshatin Shënmri të Kukësit, në mars të këtij viti.
Prokurori i çështjes, Ardian Nezha, kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm, ndërsa Afrim Hasani, dëgjoi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës. Vrasja ndaj dy efektivëve blu sipas akuzës, është kryer për shkak të detyrës, të cilët një javë më parë ishin konfliktuar me të pandehurin Hasanaj, konflikt të cilin e kishin denoncuar në prokurorinë e Kukësit për akuzat e "shkatërrimit të pronës" dhe "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë".
Konflikti me policët dhe vrasja
"Sapo u ndalën prej policëve, iu kërkua që të gjithë të dalin nga makina dhe duke i kërkuar dokumentet shoferit. Hasanaj ka dalë nga mjeti dhe menjëherë ka nisur konfliktin me efektivët e policisë, por reagime të dhunshme ka shfaqur me policin Shkëlzen Dobrusha, me të cilin kanë arritur deri konfrontimin fizik dhe përdorimin dhunës mes tyre.
Gjatë sherrit janë afruar edhe kureshtarë të ndryshëm, çka i ka mundësuar largimin nga vendi i ngjarjes të pandehurit Hasanaj,- tha prokurori. Efektivët e policisë, mësohet se më pas kallëzuan të pandehurin për veprat e "kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë" dhe "shkatërrimit të pronës me dashje".
Pas kësaj ngjarjeje, policia shpalli në kërkim Hasanajn që mundi t'i fshihet policisë deri me 23 mars kur u shfaq në Shëmri me një "Kallashnikov" në dorë në kërkim të Hilës e Dobrushës. Pasi i gjeti në një lokal afër Postës së Policisë, qëlloi drejt tyre duke i lënë të vdekur. Në ikje e sipër qëlloi edhe mbi autoveturën e bllokuar, ku paraditen e 16 marsit ndodhej me shokët e tij pas konfliktit me policët.
Vrasja, sipas akuzës, është kryer pasi dy policët Hila e Dobrusha nuk kishin pranuar të tërheqin kallëzimin ndaj tij. 24 orë pas vrasjes, u dorëzua bashkë me armën e krimit, ndërsa rrëfeu arsyen e veprimit të tij.
Për këto veprime, sipas prokurorit, i pandehuri Hasanaj ka kryer veprat penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesve Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hilaj; "Shkatërrimit té pronës" së makinës së shokut të tij; "Kundërshtimit me dhunë të punonjësve té policisë" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake".
Për të gjitha këto krime, prokurori kërkoi dënimin e Hasanajt me "burgim të përjetshëm". Pas pretencës, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore duke i lënë kohë mbrojtjes të përgatisë pretendimet përfundimtare ndaj akuzave.
Sherri me pronaren e lokalit
Sipas pretencws së lexuar nga prokurori Nezha, ngjarja zë fill me 16 mars 2009 në qendër të fshatit Shëmri të Kukësit, në një lokal të fshatit, ku i pandehuri Hasanaj bashkë me një shokun e tij kanë hyrë me forcë edhe pse lokali ishte mbyllur duke kërkuar alkool.
Pronarja e lokalit ka refuzuar t'iu shërbejë atyre me pretendimin: Nuk shërbej se lokali është i mbyllur". Kaq mjaftoi që Hasanaj pa motiv, nisi të thyente në brendësi të lokalit një pasqyrë, dy karrige, gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit, ndërsa më pas ai dhe shoku i tij u larguan.
Menjëherë pronarja e lokalit kontaktoi me drejtorin e Policisë së Qarkut të Kukësit Muharrem Furrikun, i cili për të vërtetuar pretendimet ngarkoi inspektorin e fshatit Shëmri dhe dy efektivët e policisë Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hila për të shkuar në lokalin e denoncueses. Pasi kanë verifikuar dëmet, drejtori Furriku ka urdhëruar shoqërimin e Hasanajt në Komisariatin e Policisë.
"Rreth orës 15:15 minuta, polici Hila e Dobrusha kanë hasur në automjetin tip "Benz Mercedes" 240 me ngjyrë e kuqe me targë "KR 3778 A" në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasanaj ndërsa në sediljet e tjera ishin shokët e tij.
Të vrarët
Ramadan Hila
Shkëlzen Dobrusha