E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmimi, vdesin dy binjakët 5-muajsh

DURRËS/ Besarta dhe Muharrem Vajdulla janë gjetur të vdekur në krevat nga nëna e tyre në orën 2 pas mesnate

Burime nga policia shprehen se pritet përgjigjja e analizave për dy foshnjat, ndërsa si shkak dyshohet ushqimi

DURRËS - Një tragjedi ka ndodhur në shtëpinë e një banori të fshatit Fllakë të Durrësit. Dy fëmijët e familjes së Genti Vajdullës janë gjetur të vdekur në krevat nga nëna e tyre, teksa kjo e fundit ka shkuar t'i kontrollojë rreth orës 02:00 pas mesit të natës.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa ende nuk është dhënë një version zyrtar për shkaqet. Duke qenë se binjakët 5-muajsh janë gjetur të pajetë dhe me shkumë në gojë, dyshohet se qumështi i dhënë prej prindërve, i cili nuk ishte qumësht gjiri, mund të ketë qenë edhe arsyeja e tragjedisë.

Ngjarja

Nëna e binjakëve Besarta dhe Muharremi i ka ushqyer me qumësht dy fëmijët e saj para se t'i vërë në gjumë, teksa ka shkuar më pas t'i kontrollojë në orën 2 pas mesit të natës. Por i ka gjetur të dy vogëlushët të pajetë.

Sipas deklarimit të dhënë në polici nga babai i binjakëve, në cepat e buzëve atyre është gjetur shkumë. Duke i parë fëmijët në atë gjendje, gruaja ka mundur vetëm të japë alarmin, ndërsa është thirrur me urgjencë mjeku i familjes nga fshati Kullë.

Por me mbërritjen e tij, doktori nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka konfirmuar vdekjen e binjakëve vetëm 5-muajsh. Policia e mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje familjarët, por i vetmi shpjegim i dhënë është se fëmijët nuk kanë pasur probleme përveç një gripi të lehtë.

Është bërë e ditur edhe se binjakët ishin vaksinuar 5 ditë para fatkeqësisë së ndodhur, por edhe vaksinat nuk kanë dhënë shenja tek ata. Më pas foshnjat janë dërguar në morg ku dhe i janë nënshtruar autopsisë nga ekspertët mjeko-ligjorë.

Policia

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur në datën 17 në fshatin Fllakë të komunës së Katundit të Ri. Foshnjat binjake të datëlindjes 13 korrik 2009 janë gjetur të vdekura nga familjarët. Në deklarimet e tyre, këta të fundit janë shprehur se foshnjat ishin vaksinuar 5 ditë më parë dhe në këtë kohë nuk kishin paraqitur shqetësim apo temperaturë të lartë.

Sipas familjarëve, fëmijët kanë qenë në gjendje gripale, por pa temperaturë të lartë. Ditën e mërkurë, rreth orës 20:00 foshnjat janë ushqyer me qumësht nga nëna e tyre dhe më pas janë vënë për të fjetur. Rreth orës 02:00 të dy fëmijët janë gjetur të vdekur në krevat, me shkumë në gojë.

Të mbërritur në vendngjarje ekspertët e policisë nuk kanë konstatuar dëmtime të jashtme në trupin e foshnjave, ndërsa i janë nënshtruar autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Mjekët

Helmimi duket se është varianti më i pranueshëm për vdekjen e fëmijëve, të paktën deri në një përgjigje zyrtare që do të jepet nga ekspertët e Tiranës, ku do të kryhen edhe analizat. Shkuma në cepat e buzëve të binjakëve ka qenë shkak për dyshimet, si dhe fakti që nga ana e të atit mësohet të jetë deklaruar se qumështi me të cilin janë ushqyer foshnjat, nuk ishte qumësht gjiri.

Gjithashtu, duke u nisur nga mosha e vaksinimit të fëmijëve, specialistët shpjegojnë se në këtë fazë fëmijëve u bëhet vaksina e njohur si "pentavaksina", e cila përmban një kompleks vaksinash, si vaksinën DTP, e cila përfshin: difterit, tetanoz, pertus (kollën e mirë), si dhe HVB hepatitin B (verdhëzën), HIB vaksinën kundër meningjitit.

Së bashku me to bëhet edhe vaksina e poliomelitit, e cila merret në rrugë orale. Specialistët shpjegojnë se vaksina mund të shkaktojë reagim vetëm brenda 48 orëve nga bërja e saj.

Normalisht vaksinat duhen bërë pasi fëmijët të kontrollohen për gjendjen gripale. Megjithatë kalimi i disa ditëve pasi është bërë vaksina, shmang këtë rrezik dhe sipas specialistëve, shkaku i vdekjes mund të jetë tjetër, dhe jo vaksina.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›