E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeni bashkëpunëtorin e Dajtit që u largua nga vendngjarja më 7 gusht

Krimet e Rënda

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, i delegon Policisë së Durrësit, kërkesën e saj për identifikimin e personit të tretë që ndodhej me Dritan Dajtin ditën e ngjarjes së 7 gushtit ku mbetën të vrarë katër punonjës policie dhe shoqëruesi i Dajtit, Ledion Mara.

Ky person, sipas burimeve të policisë, ka qenë në shoqërinë e Dritan Dajtit, gjatë momentit të ndërhyrjes së policisë dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit me ta ka mundur të largohet në drejtim të plazhit, e më pas duke humbur në turmën e madhe të pushuesve. Që nga ajo ditë, ky person mësohet se ka mbetur i paidentifikuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka hetuar ngjarjen e shtatë gushtit. Për këtë qëllim, organi i akuzës i ka dërguar Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, një shkresë në të cilën i kërkohet identifikimi dhe arrestimi i këtij personi nga ana e tyre me qëllim vënin e tij përpara organeve të drejtësisë.

Ky fakt është bërë i ditur dje nga burime të organit të akuzës së Krimeve të Rënda që pohuan se i është kërkuar drejtorisë së Policisë së Qakut të Durrësit të identifikonte këtë person, i cili ka mundur të largohet i armatosur nga plazhi Durrësit ditën e 7gushtit, kur mbetën të vrarë katër efektivë policie në një operacion për arrestimin e Dritan Dajtit.

Bashkë me këtë shkresë dërguar policisë së qarkut të Durrësit, Prokuroria e Krimeve të Rënda, i ka dërguar për hetim Prokurorisë së rrethit edhe plagosjen e Dritan Dajtit në të njëjtën ngjarje. Një veprim i tillë është kryer për shkak se nga hetimi nuk është zbuluar autorësia e plagosjes së këtij të fundit në këtë ngjarje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›