Dëshmitë: Shpërthimi në fabrikë, i paralajmëruar
GËRDECI
Caje e Flogert Ciku, nënë e bir, ish-punëtorë në fabrikë, pohuan se tragjedia erdhi nga saldimi i një karroce ndërsa mungonin mjetet zjarrfikëse
Në qershor 2007, zjarri i rënë në fabrikë u shuajt me kova uji. Bie alibia e të akuzuarve për akt të qëllimshëm
TIRANE- Shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008, ka qenë i paralajmëruar nga disa zjarre të tjerë të rënë në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ndërsa masat kundër zjarrit në fabrikën e rrezikshme ishin vetëm disa kova me ujë dhe asnjë mjet tjetër kundër zjarrit.
Ky fakt është pohuar dje në seancën gjyqësore të procesit të tragjedisë së Gërdecit, i zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, nga dëshmitë e Caje Cikut dhe djalit të saj, Flogert Ciku, i cili në kohën e shpërthimit ishte vetëm 14 vjeç, dhe punonte në fabrikë si shumë bashkëmoshatarë të tjerë të tij.
Pavarësisht rasteve të mëparshme të rënies së zjarrit, në ambientet e punishtes së demontimit të municioneve, masat e marra nga "Alba Demil", kanë qenë zero, duke u mjafuar vetëm me këshillime klundër zjarrit, apo gjatë kohës së hapjes së zjarrit. Caje Ciku dhe djali i saj, aktualisht 16- vjeçar, Flogert Ciku, punonin në fabrikë që prej muajit korrik të vitit 2007. Paga e tyre mujore nuk i kalonte 150 mijë lekë të vjetra.
Në dëshminë e tyre, nënë e bir provuan të kundërtën e pretendimeve të të pandehurve se shpërthimi kishte ndodhur për shkak të aktivizimit të ndonjë bombe me telekomandë. Versioni i tyre që përputhej me atë të prokurorisë, ishte se shpërthimi ndodhi nga saldimi i një karroce në fabrikë.
Dëshmitë e nënë e bir
"Qemal Deliu, që banonte fare pranë fabrikës merrej me saldimin e karrocave që mbartnin municion që prisheshin gjatë punës. Ato saldoheshin brenda fabrikës,- tregoi dëshmitarja Ciku. Qemal Deliu banonte në një godinë ngjitur me fabrikën e demontimit dhe mbeti i vdekur bashkë me pjesëtarët e tij të familjes nga shpërthimi.
"Hapnim mesatarisht 160 arka me municione në ditë, ndërsa ato hapeshin me me leva, pinca",- pohoi gruaja, gjatë dëshmisë së saj përpara Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, që po shqyrton procesin.
Më tej vijoi dëshminë i biri i Caje Cikut, Flogerti, i cili tha se në fabrikë veç tij punonin shumë minorenë të tjerë. Më tej ajo tregoi se në fabrikë kishin ndodhur edhe shpërthime të tjera, që mund të kishin shkaktuar më parë tragjedinë. "Në qershor-korrik të viti 2007, tha Flogert Ciku, në fabrikën e Gërdecit ra zjarr. Punonjësit u detyruan ta shuanin zjarrin me kova me ujë pasi nuk kishte mjete të posaçme për shuarjen e zjarrit.
Që nga ajo ditë punëtorët ishin tepër të frikësuar- tha ai gjatë rrëfimit të tij. "Punëtorët e kanë ndjerë gjithmonë këtë rrezik dhe asnjëhere nuk është marrë parasysh rreziku se mund të binte sërish zjarri",- tha ish- punëtori që gjatë kohës që punonte në fabrikë ka qenë vetëm 14 vjeç.
Veç dy dëshmitarëve të mësipërm, gjatë seancës së djeshme kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe disa ish- punonjës të fabrikës së demontimit, që kanë rrëfyer proceset e ndryshme të demontimit në të si dhe shkeljet e rregullave të sigurimit teknik nga drejtuesit.
Në gjykatën e Tiranës, prej gati tri muajsh vijon procesi i mësipërm ndaj 28 të akuzuarve, pjesa më e madhe ish- ushtarakë të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen edhe ish- drejtuesit e fabrikës së Gërdecit, Mihal Delijorgji Dritan Minxholli, si dhe Ylli Pinari, ish- Drejtor i ndërmarrjes MEICO, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Minxholli
Punësova fëmijët se më vinte keq për ta
Ish-drejtori i fabrikës së armëve në Gërdec, Dritan Minxolli, është vetëdeklaruar sot fajtor në sallën e gjyqit duke pranuar se ka shkelur rregullat e sigurisë si dhe ka punësuar gra e fëmijë në një veprimtari të rrezikshme.
I punësuari i Mihal Delijorgjit si drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes së Gërdecit, tha sot në sallën e gjyqit se i kishte punësuar gratë dhe fëmijët nga keqardhja pasi ishin në nevojë financiare. Ish-drejtori i fabrikës në Gërdec, tha më tej se personat paraqiteshin për punë tek ai ndërsa ka konstatuar se një pjesë e mirë e tyre ishin familje me probleme financiare.
Shumica e të akuzuarve janë ish-ushtarakë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm ndërsa në gjendje arresti mbahen biznesmeni Mihal Delijorgji, pronar i fabrikës, nënshkrues i kontratës së çmontimit të municioneve mes firmës së tij Albademil, kompanisë amerikane SAC dhe ndërmarrjes MEICO. Në arrest mbahet ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari, ish-drejtori i fabrikës Dritan Minxolli dhe ish-mbikëqyrësi i ndërmarrjes MEICO në Gërdec, Sokol Gjeçi.