E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi e Hasi pa energji, autostrada në mëshirë të fatit

Moti i keq

Kukës - Dëbora, shoqëruar me erëra të forta, stuhi e ngrica ka vështirësuar jetën e banorëve në verilindje të vendit. Ndërkohë, si pasojë e dëborës së madhe është dëmtuar linja e tensionit të lartë 110 kilovolt Fushë-Arrës-Kukës duke lënë Kukesin e Hasin për disa orë pa energji elektrike. Specialistët e OST-së kanë bërë të mundur riparimin e defektit në orët e mbrëmjes.

Reshjet e dëborës në veri të vendit kanë filluar mbrëmjen e së enjtes dhe kanë vazhduar gjatë gjithë natës edhe ditën e premte. Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit ka arritur deri në 15 cm, ndërkohë që në Qafë-Mali, në aksin kombëtar Kukës-Fushë-Arrës, trashësia e borës shkon nga 50-80 centimetër. Për pasojë, është vështirësuar qarkullimi në aksin kombëtar Kukës-Fushë-Arrës, ndërsa janë bllokuar disa rrugë nacionale e rurale, pikërisht rruga Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Krumë.

Drejtori i Ndërmarjes së Rrugëve në Kukës, Rushit Gashi, thotë se rrugët që ai ka në administrim, si: rruga Kukës-Fushë-Arrës-Kukës-Domaj dhe Kukës-Krumë janë të kalueshme, por problem paraqet rruga Kukës-Krumë, pasi hapja e saj është bërë vetëm me një kalim.

Gashi thotë në vazhdim se shumica e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve është marrë nga privatët, si rruga Krumë-Qafë-Prushi, të gjitha rrugët nacionale të Tropojës, rruga Morin-Kukës-Kalimash (rruga e vjetër). Ndërkohë që autostrada Morin-Kukës (me katër korsi) ka mbetur "jetime" përsa i përket mirëmbajtjes dimërore.

Firma private që ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e kësaj rruge, ka nënshkruar kontratë për një rrugë të zakonshme siç ka qenë para përfundimit të autostradës, dhe jo për një rrugë me katër korsi dhe me breza sigurise që kanë një gjerësi rreth 6 herë më të madhe se rruga për të cilën ka lidhur kontratë.

"Rruga Myç-Mamëz-Kukes-Morin ende nuk është kolauduar nga DPRR-ja dhe për pasojë nuk është dorëzuar, prandaj kjo rrugë përsa i përket mirëmbajtjes është në mëshirë të fatit", thotë një nga ish-supervizorët e këtij segmenti.

Në këtë segment të autostradës punon vetëm një mjet borëpastrues që nuk mjafton për pastrimin e sipërfaqes së autostradës nga Myç-Mamëzi në Kukës dhe deri në Morinë.

Më e rënduar paraqitet situata në rrethin e Tropojës, ku deri tani janë izoluar 10 fshatra, 7 prej të cilëve në komunën Lekbibaj dhe 3 në komunën Margegaj. Në qytetin e Bajram Currit trashësia e saj ka arritur në mbi 20 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi 60 centimetra.

Punonjësit e pastrimit të rrugëve kanë ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur hapur akset rrugore që e lidhin Tropojën me qendrat e komunave dhe zonat e tjera. Në të gjitha akset rrugore lëvizja e mjeteve është e detyrueshme me zinxhirë për shkak të trashësisë së dëborës e akullit. B.Shala

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›