Imuniteti i gjyqtarëve, asnjë nismë nga ministria dhe KLD-ja
Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kanë filluar asnjë nismë ligjore për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, megjithëse u është “premtuar” ndërkombëtarëve. Burime të konfirmuara pranë këtyre institucioneve thanë për gazetën “Shqip” se ende nuk kanë filluar procedurat për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, megjithëse prokuroria është ankuar shpeshherë se pikërisht ky imunitet i ka prishur disa hetime të rëndësishme. Duket se apeli i krerëve të njësive Task Forcë në akuzën qendrore, por edhe i ndërkombëtarëve, ka rënë në “vesh të shurdhët”. Disa ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, tha se për të luftuar korrupsionin në gjyqësor, më parë duhet t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve. Ai tha se për këtë çështje “duhet ngritur zëri”. Në takimin e organizuar nga Gjykata e Lartë për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Withers citoi se “korrupsioni është i pranishëm në sistemin gjyqësor dhe se duhet të luftohet me çdo mjet. Të gjithë duhet të kenë akses në gjykatë, pavarësisht bindjeve politike, racës etj”. Më tej shtoi se drejtësia është besimi për të zgjidhur një mosmarrëveshje, ku të ketë edhe transparencë për publikun. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në fjalën e tij, ai tha se do të mbështesë çdo iniciativë për të luftuar korrupsionin në sistemin gjyqësor, ndërsa e ka mirëpritur idenë e heqjes së imunitetit të gjyqtarëve. Withers shtoi se sistemi gjyqësor është në një gjendje të vështirë, pasi ekziston një krizë besimi nga publiku. Përpos këtyre deklaratave ende nuk ka filluar asnjë nismë për të kryer procedurat e heqjes së imunitetit, ndërsa prokurorët ankohen se statusi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve duhet të jetë i njëjtë sipas hierarkisë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodh. Nëse për një prokuror është e lehtë të fillosh hetimet, e kundërta ndodh me togat e zeza, pasi për t’i hetuar duhet më parë të marrësh leje në KLD. Procedura mund të zgjasë dhe nga ana tjetër mund të prishë hetimet për këta individë.
#