E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, deputeti Kollozi, akuza PS-së dhe bashkisë

Kreu i bashkisë Gjika po “vesh me vello” qytetin për të rimarrë vota

Kryetari i PD-së për Vlorën dhe njëherazi deputet i qarkut, Ardian Kollozi, ka lëshuar sërish akuza ndaj PS-së për qëndrim jo korrekt dhe mungesë dëshire për dialog të shprehur në këto 11 muaj qeverisjeje të të djathtëve. Kollozi theksoi respektin ndaj grevave e protestave, por e ka cilësuar grevën e urisë të socialistëve si një interes personal i Ramës. Pas kësaj, kreu i demokratëve të Vlorës, është ndalur te problemet, që sipas tij po përballet qyteti, si pasojë e keqqeverisjes nga socialistët vendor. Ai e ka cilësuar administratën e Bashkisë së Vlorës si të paaftë dhe të korruptuar. Sipas Kollozit, përpos mungesës së vëmendjes për punë, betonizimit të qytetit, bashkia po përgatit të japë me vend dhe pa vend rreth 150 leje ndërtimi, po zhvat të gjitha hapësirat publike të mbetura, duke i bërë një dëm të pariparueshëm qytetit. Më tej, Kollozi u ndal te kredia që Bashkia e Vlorës kërkon të marrë te BKT-ja për rikonstruksionin e dy akseve rrugore, atë në hyrje të qytetit dhe segmentin mbi kampin e punëtorëve. “Në këtë vit elektoral, ku i ka mbetur vetëm 6 muaj mandat, Gjika kërkon t’i vendosë vellon Vlorës, për t’u paraqitur përpara vlonjatëve për të marrë sërish vota. Ndërkohë, kërkon të marrë 4.2 miliardë lekë të vjetër, duke shkuar në antitezë me atë që parashikon ligji, ku i lejohet të marrë vetëm 1/20 e të ardhurave të mbledhura nga bashkia një viti më parë. Llogaritë bëhen lehtë, pasi të gjithë e dimë që bashkia nuk ka mbledhur 80 miliardë lekë të vjetra nga taksat për vitin 2009, por përkundrazi një shifër shumë më të ulët edhe se borxhi që kërkon të fusë Vlorën”, ka thënë mes të tjerave Kollozi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›