E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri- Rusi hyn në një erë të re



Gjate datave 2-3 dhjetor 2009 u zhvillua në Moskë mbledhja e Sesionit të VI-të të Komisionit Ndërqeveritar Shqiptaro-Rus për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor. Për palën shqiptare Mbledhja u kryesua nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, Leonard Beqiri dhe për palën Ruse nga Drejtori i Agjencisë Federale për Rregullimin Teknik dhe Metrologjinë, Grigorij Iosifoviç Elkin. Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua statusi i realizimit të angazhimeve të marra në mbledhjen e sesionit të kaluar. Palët shkëmbyen informacione rreth bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve për vitin 2008 dhe 2009, prezantuan dhe u njohën me instrumentet dhe politikat respektive për promovimin e eksporteve, nxitjen e investimeve të huaja direkte, promovimin e turizmit dhe u angazhuan të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë eksperiencat e tyre në këtë drejtim. Komisioni shqyrtoi çështjet e mëposhtme: 1. Mbi bashkëpunimin në degët prioritare të ekonomisë: Energjetikë dhe industri, Transport, Turizëm. 2. Bashkëpunim në fushën bankare, të financave dhe kredive. 3. Mbi bashkëpunimin në fusha të tjera të interesit të ndërsjelltë, si: në fushën e standardizimit, në fushën e doganave, midis Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Rusisë dhe Shqipërisë. 4. Mbi marrëveshjen ndërdikasteriale për bashkëpunimin në luftën kundër trafikut ilegal të lëndëve narkotike. Palët vlerësuan hapat e ndërmarra për institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve homologe në fushën e standardizimit dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në përfundim të Sesionit, u nënshkrua marrëveshja “Për bashkëpunim në fushën e veprimit ndaj pastrimit të të ardhurave nga krimi dhe financimit të terrorizmit”, të lidhur mes Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit Federal të Monitorimit Financiar të Federatës Ruse dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e standardizimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Standardeve të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Federale të Rregullimit Teknik dhe Metrologjisë të Federatës Ruse. Në fund të sesionit kryetarët e delegacioneve nënshkruan Protokollin e Sesionit të 6-të të Komisionit Ndërqeveritar Shqiptaro-Rus për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›