E Diel, 1 Nëntor 2026

Bixhozi: Lojtarët e kazinove, të skeduar në regjistër elektronik



Ervin KOÇI

Kazinotë dhe të gjitha lojërat e fatit në vend do të funksionojnë që nga viti 2010 në bazë të një rregulli të ri. Një rregullore e cila përcakton mënyrat e lojës nëpër kazino apo lojërat e tjera të fatit, si dhe një regjistër elektronik për të gjithë lojtarët e bixhozit do të jenë disa nga normat që do të rregullojnë funksionimin e tyre. Sipas kësaj rregulloreje që do të administrohet nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, dhe që parashikon ndër të tjera edhe masa të forta kontrolli për kazinotë, qeveria po ligjëron rregullin që ndalon hyrjen në pikat e basteve për ata persona që kanë kallëzim nga të afërmit (familjarët). Hartimi i rregullores në këtë mënyrë ka pasur si qëllim shmangien e të gjitha efekteve sociale që sjellin lojërat në kazino apo në pikat e basteve. Sipas saj, është planifikuar të ndalohen familjarët që janë denoncuar nga bashkëshortët/et përkatës si njerëz problematik, duke mos u lejuar të frekuentojnë dhe të luajnë në lojërat e fatit. Kjo gjë do të bëhet e mundur falë krijimit të një regjistri elektronik, i cili do të ketë të skeduar të gjithë personat që frekuentojnë dhe luajnë në kazino dhe lojtar e fatit.

Regjistri elektronik

Regjistri elektronik i lojtarëve të kazinove është hartuar dhe do të krijohet enkas, duke bërë që në të, të afishohen të gjithë emrat e kumarxhinjve të denoncuar nga familjarët. Me anë të një akti noterial, familjarët paraqesin emrin e personit që nuk duhet lejuar të frekuentojë ambientet e bixhozit. Aktualisht janë bërë ndryshime në ligj, të cilat kushtëzojnë shoqëritë e basteve që fusin në ambientet e tyre personat me probleme. Regjistri do të përdoret nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe do t‘u vihet në shërbim të gjitha subjekteve të licencuara në fushën e kumarit. Reforma e re është iniciuar direkt nga Kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit, “në telefonin privat i kanë mbërritur një lumë mesazhesh me ankesa nga familjarë të ndryshëm, që denoncojnë të afërmit për paratë e shpenzuara në kazino”.

Lojërat e fatit

Në variantin e ri të ligjit “Për lojërat e fatit dhe kazinotë” thuhet se, pas marrjes së denoncimit nga familjarët, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit njofton të gjitha subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit, për moslejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Madje, njoftimi do të publikohet edhe në faqen zyrtare të Njësisë, duke rrezikuar në njëfarë mënyre privatësinë e individit. Në nenin 1 të këtij drafti është përcaktuar se "organizatorit të lojërave të fatit i ndalohet të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit, persona nën moshën 18 vjeç. Organizatori merr masa të ndalojë të luajë në këto mjedise një person mbi 18 vjeç, për të cilin ka një kërkesë me shkrim, të paktën prej njërit nga familjarët, që për shkak të gjendjes ekonomike, kërkon moslejimin e këtij personi". Kjo pjesë e projektligjit u diskutua edhe në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, duke hedhur propozimin për rritjen e moshës në 21 vjeç.

Lojërat e fatit, në vitet e fundit “tabelë qitjeje” për tatimorët

Në tre vitet e fundit, qeveria ka rritur kontrollin ndaj sektorit të lojërave të fatit, duke shtuar taksa, masa të rrepta ndëshkimi, e madje aksione të njëpasnjëshme. Qëllimi i hapave të hedhura në këto vite është reduktimi i aktivitetit, për të shmangur fenomenet negative që sjell loja e bixhozit, si humbje të ardhurash, shtimi i borxhit, konflikti me familjen, e deri te krimi. Statistikat zyrtare nga administrata tatimore flasin se gjatë vitit 2008, aktiviteti i lojërave të fatit kishte xhiruar rreth 100 milionë dollarë, që përkthehet ndryshe shuma e luajtur nga shqiptarët në kazino dhe pika basti sportive. Pavarësisht fenomenit negativ, qeveria arkëton shuma të konsiderueshme të ardhurash nga aktiviteti i lojërave të fatit, deri në masën 250 për qind.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›