Hipotekat, dixhitalizimi i sistemit, vizitë në Lituani për eksperiencë
Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë dhe anëtarët e tjerë të Bordit Drejtues të Kompjuterizimit të Sistemit zhvilluan një vizitë disaditore me qëllim marrjen e eksperiencës në Qendrën e Regjistrave të Lituanisë, zyra homologe e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë. Vizita u zhvillua në kuadër marrëveshjes së binjakëzimit me Lantmaterietin e Suedisë dhe gjatë kësaj vizite merrte pjesë edhe i ngarkuari me punë nga Lantmateriet për dhënien e asistencës teknike për kompjuterizimin e sistemit të ZRPP-së, Olaf Martenson. Qendra e Regjistrave të Pasurive të Paluajtshme në Lituani është e gjitha e dixhitalizuar dhe shërben si pararojë e implementimit të teknologjisë së informacionit. Për të realizuar këtë, Lituania ka marrë një asistencë teknike të madhe nga Lantmateriet i Suedisë, që aktualisht po punojnë edhe për kompjuterizimin e sistemit tonë.
Grupi që mori pjesë në këtë vizitë informuese dhe trajnuese kryesohej nga kryeregjistruesi Arben Qirjako, i shoqëruar nga zëvendëskryeregjistruesja, Sonila Jazaj, drejtori i Drejtorisë së Projekteve, Rezar Turdiu, drejtori i Drejtorisë së IT-së, Xhevahir Llakaj, regjistruesi i Durrësit, Doklead Ademi dhe udhëheqësi i grupit të punës për kompjuterizimin e sistemit, Olaf Martenson. Përfaqësuesit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme fillimisht kanë zhvilluar vizita në Drejtorinë Qendrore të Qendrës së të Regjistruesve të Lituanisë, ku janë pritur nga drejtuesit e këtij institucioni. Dy zëvendësdrejtorët e Qendrës së të Regjistrave kanë shpjeguar të gjithë historikun e institucionit, kalimin e fazës së privatizimit të tokës, ndërtimin e bazës së të dhënave, kalimin nga sistemi manual në atë që operon me të dhëna dixhitale deri në marrjen e trajtës përfundimtare. Qendra e Regjistrave e Lituanisë është një institucion shtetëror që funksionon me vetëfinancim.
13 Shtator 2009