E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i ri, mocion mosbesimi për anëtarët e KLD-së

Ministria e Drejtësisë bën gati ligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare. Zbardhet projekti i Ministrisë së Drejtësisë. Drafti është dërguar për mendim

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë bën gati draftin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare (KGJK). Burime zyrtare pranë kësaj ministrie pohuan dje për gazetën “Albania” se drafti u është dërguar për mendim palëve të interesit dhe pritet që brenda pak ditësh të marrë formën përfundimtare për t’u dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave. Të njëjtat burime shpjeguan se ky draft është përgatitur gjatë verës nga specialistët e kodifikimit dhe duhet të miratohet sa më shpjet për shkak se ka futur në ngërç funksionimin normal të shumë institucioneve të Gjyqësorit. Pesë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u ka mbaruar mandati prej kohësh, por vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë për shkak se mungonte ligji për funksionimin e Konferencës Gjyqësore. Kjo situatë u krijua që prej vitit të kaluar, kur dhe Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve për të shfuqizuar ligjin për Konferencën Gjyqësore.
Drafti
E pashmangshme në këtë draft ishte dhe pjesëmarrja në Konferencë e të gjithë gjyqtarëve. Kjo përfshirje është parashikuar në nenet e para të këtij drafti, ku përcaktohet se Konferenca Gjyqësore Kombëtare është mbledhja e të gjithë gjyqtarëve të të tria hallkave të Gjyqësorit. Në këtë rast, një pikë tjetër e re është e drejta e votës edhe për të gjithë ata gjyqtarë që janë larguar përkohësisht nga detyra e gjyqtarit për një punë në administratë, por që e ruajnë statusin e gjyqtarit. Pritet që kjo të jetë një nga pikat ku do të ketë dhe diskutime nga palët e interesit. Kjo për shkak se të tillë gjyqtarë, pavarësish se të përkohshëm, janë të punësuar në punë ku mund të mbrojnë edhe interesat e ministrit të Drejtësisë në këtë rast, qoftë edhe në mënyrë indirekte, ata mund të ndikojnë për kandidatët përzgjedhës. Kriteret për të zgjedhur anëtarët e KLD-së është një tjetër pikë e rëndësishme në këtë draft, e cila, në fazën e parë, është lënë me dy versione për të marrë sugjerimet se cili është varianti më i mirë.
Mocioni
Ndryshe nga ç’ishte më parë, drafti parashikon një marrëdhënie ndryshe mes të zgjedhurve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe anëtarëve të Konferencës Gjyqësore. Në këtë draft thuhet se në mbledhjen e përgjithshme vjetore të KGJK-së, anëtarët e zgjedhur në KLD, në mënyrë individuale ose kolegjialisht, duhet të paraqesin një raport të hollësishëm për përfaqësimin e interesave dhe përgjegjësive të pushtetit gjyqësor në KLD. E thënë ndryshe, të zgjedhurit nga konferenca do të japin llogari për herë të parë gjatë mandatit para gjyqtarëve që i kanë votuar. Vendimet që merr anëtari i KLD-së, i zgjedhur nga Konferenca, do të jenë vendimtare për të mbajtur postin aq vite sa është përcaktuar në mandat. Drafti parashikon mocion mosbesimi për këta anëtarë. Në draft thuhet se mocioni i mosbesimit të anëtarit të zgjedhur të KLD-së prej KGJK-së mbështetet në hipotezën e rasteve të papajtueshmërisë me detyrën e anëtarit të KLD-së apo të ushtrimit jo të rregullt të mandatit të tij. Kjo, sipas specialistëve, nënkupton të drejtën e mbledhjes së përgjithshme të KGJK-së për të vlerësuar nëse ushtrimi i detyrës nga i zgjedhuri është në përputhje me tagrin e përfaqësimit të të zgjedhurit në funksion të mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Kriteret e reja për përzgjedhjen e kandidatëve

Në variantin e parë thuhet se anëtarët e KLD-së që zgjidhen nga KGJK-ja duhet të jenë pesë gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë, tre gjyqtarë të gjykatave të apelit dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Ndërsa në variantin e dytë thuhet se procedura për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së nga KGJK-ja fillon me një urdhër të veçantë të kryetarit të KGJK-së për thirrjen e kësaj konference brenda 30 ditëve nga dita kur KLD-ja deklaron mbarimin e mandatit për anëtarin përkatës. Kandidatët për anëtarë duhet të propozohen me shkrim nga të paktën 10 gjyqtarë që nënshkruajnë propozimin. Këtij propozimi i bashkëngjitet edhe pëlqimi me shkrim i gjyqtarit që kandidon, së bashku me jetëshkrimin përkatës. Një gjyqtar mund të mbështesë një kandidaturë për çdo vend vakant në KLD. Gjyqtarët, ndaj të cilëve janë marrë masa disiplinore, për aq kohë sa këto masa janë në fuqi, ndalohen të kandidojnë për anëtarë të KLD-së. Kandidaturat paraqiten deri në 7 ditë para datës së caktuar për votimin e tyre nga KGJK-ja në mbledhjen e përgjithshme të saj dhe ky afat kohor i takon edhe kohës së fundme të njoftimit për mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të KGJK-së, i cili ka detyrën e përcaktimit të rendit të ditës së mbledhjes. Më tej përcaktohet se Komisioni i Etikës dhe Verifikimit të Mandateve shqyrton plotësimin e kritereve ligjore formale për kandidim të kandidaturave dhe paraqet para KGJK-së raport me shkrim në kandidaturat i plotësojnë kriteret formale për kandidim ose jo. Për këtë Komisioni i kërkon informacion me shkrim KLD-së, i cili duhet të përgjigjet brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës.

Kushtetuesja shfuqizoi ligjin e vjetër

Gjykata Kushtetuese, brenda një muaji, ka mundur të marrë në shqyrtim dhe të japë verdiktin e saj lidhur me kërkesën Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Ligjit Nr. 9399, dt. 12.05.2005 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare’”. Në këtë mënyrë, kjo gjykatë ka mundur që të dalë në një vendim përfundimtar, duke pranuar si të qëndrueshëm argumentet ligjore, të cilat i paraqiti komuniteti i gjyqtarëve lidhur me këtë çështje. “Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare’”, - thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, një nga arsyet për të cilën Gjykata Kushtetuese u shpejtua në gjykimin e vet ka lidhje me zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe që si objekt kanë Konferencën Gjyqësore. Kjo pasi nëpër rrethe në atë kohë kishin filluar mbledhjet e konferencave gjyqësore rajonale, që sipas planifikimit, duhet të përfundonin me Konferencën Gjyqësore Kombëtare në dhjetor të vitit të kaluar. Për t’i prerë rrugën një procesi të kundërshtuar nga aktorët kryesorë të kësaj fushe, Gjykata Kushtetuese, duke u konsultuar edhe me ligjin themeltar të shtetit, vendosi të rrëzojë ligjin mbi të cilin funksionon ky proces.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›