E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alban Eftimi dhe Arben Biçoku padisin në Gjykatë LDKP-në

Zyrtarët kërkojnë heqjen e gjobës që u ka vënë Inspektorati. Padia ka kaluar procedurën e shortit dhe pritet të nisë gjykimi për të

Laureta Rryçi

Tiranë - Alban Eftimi dhe Arben Biçoku kanë paditur në Gjykatën e Tiranës Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Pas gjobës së marrë për konflikt interesash, dy anëtarët e KRRT-së së Bashkisë kanë vendosur të ndjekin rrugën ligjore për të mos paguar asnjë qindarkë për llogari të Inspektoratit. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se padia është depozituar vetëm pak ditë më parë dhe aktualisht ka kaluar vetëm fazën e shortit. Eftimi dhe Biçoku kanë përpiluar padi më vete për gjobën e marrë.
Gjoba
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) deklaroi vetëm pak kohë më parë se, pjesëmarrja e Alban Eftimit dhe Arben Biçokut në vendimmarrjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës përbën konflikt interesi. Deklarata zyrtare e këtij inspektorati vijonte më tej duke bërë publike se ndaj dy personave është kërkuar të merren masa administrative me gjobë. “Alban Eftimi dhe Arben Biçoku, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit Nr. 9367, të datës 07.04.2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’, kanë marrë pjesë (kanë abstenuar) në votimin për dhënie të lejes së ndërtimit për një studio projektimi e një studio ndërtimi, në të cilat gjenden në pozitat e administratorit/ortakut të vetëm dhe të drejtuesit teknik familjarë të tyre”, - thuhej në njoftimin e atëhershëm zyrtar të ILDKP-së.
Hetimi
ILDKP-ja ka filluar në datën 7 prill të vitit 2009 hetimin administrativ për konflikt interesi lidhur me procedurat e vendimmarrjes së mbledhjes së datës 22 mars të vitit 2009 të Këshillit të Rregullimit të Territorit së Bashkisë Tiranë mbi bazën e kërkesës të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Po ashtu, bazuar në Vendimin Nr. 252, datë 15.05.2009 të Kuvendit të Shqipërisë “Për miratimin e Raportit Përfundimtar të Komisionit Hetimor për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës”. Në përfundim, specialistët e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive arritën në konkluzionin se abstenimi në votimin e kërkesave për leje ndërtimi i anëtarëve që kanë pasur një interes privat direkt ose indirekt në çështjet e kaluara për votim, nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave. “Bazuar në Nenin 37, pika 3 të Ligjit ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave...’, zyrtari nuk çlirohet nga përgjegjësia e rënies në konflikt interesi kur masat e marra nga vetë ai nuk rezultojnë të frytshme në parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave”, - sqaron më tej njoftimi zyrtar i ILDKP-së. Në përfundim të hetimit administrativ, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive shprehet se pjesëmarrja e Alban Eftimit dhe Arben Biçokut në vendimmarrjet e sipërcituara përbën konflikt interesi dhe kërkon të merren masa administrative gjobë ndaj dy anëtarëve të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›