E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, zjarret djegin 4 banesa, shkrumbojnë 300 ha tokë



Katër banesa të veçuara janë djegur plotësisht dhe disa të tjera janë rrezikuar nga flakët e zjarrit që ka shpërthyer mesnatën e së premtes në fshatin Kaçinar në komunën e Kolshit në Lezhë. Flakët e zjarrit, të ndihmuara dhe nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi dhe zjarrfikësit, me gjithë përpjekjet, kanë arritur t’i izolojnë flakët vetëm sot paradite. Zjarri ka depërtuar në fshatin Kaçinar nga malet e Mirditës për në zonën e Lezhës. Zjarrfikësit kanë bërë evakuimin e banorëve të zonës, ndërsa të dhënat e para flasin për djegien e një sipërfaqeje prej 300 hektarësh tokë. Për vënien në kontroll të situatës u vunë në gatishmëri të lartë ekipet zjarrfikëse, shtabet e emergjencave civile dhe ushtria. Terreni i vështirë dhe malor vështirësoi ndjeshëm punën për të shuar zjarrin. Përhapja e flakëve ka vijuar deri në afërsi të fshatit Manati, ndërsa mëngjesin e sotëm është vënë në kontroll. Shefi i forcave zjarrfikëse, Dilaver Laçi, tha për mediat se një situatë e tillë nxjerr sërish në pah pamundësinë e forcave tona për të ndërhyrë nga ajri nëpërmjet helikopterëve apo aeroplanëve zjarrfikës. Për shuarjen e flakëve u angazhuan mjete zjarrfikëse nga Lezha, Kurbini, Mirdita. Situata është monitoruar nga afër edhe nga kryetari i komunës Kolsh, Andi Marku.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›