Aksident në Vorë, dy të vdekur, plagoset taksisti
TIRANE - Dy persona gjetën vdekjen dje në mbrëmje në një aksident rrugor, në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, pranë Vorës. Ngjarja ka ndodhur dje në mbrëmje, rreth orës 22:00, kur një automjet taksi është përplasur me kolonën e një karburanti, në afërsi të në qendre tregtare në krah të autostradës. Një djalë dhe një vajzë, të dy të rinj në moshë, kanë vdekur menjëherë ndërsa është plagosur drejtuesi i mjetit taksi, në të cilin ndodheshin viktimat. Policia tha se dy viktimat e aksidentit të rëndë ishin pasagjerë të taksisë, e cila u përfshi në përplasjen me një kolonë ndarëse prej betoni, në aksin ku ndodhi ngjarja. Një nga viktimat është shtetasja nga Kosova, Legjenda Sadikaj. Ndërkohë burime të policisë kanë thënë se grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes, krahas ofrimit të ndihmës së parë për taksistin e plagosur rëndë. Ai është dërguar në Spitalin Ushtarak ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimin e rrethanave të aksidentit të rëndë. Sipas hetimeve të para, aksidenti ka ndodhur për shkak të humbjes së kontrollit të mjetit nga drejtuesi i taksisë. Policia tha se në momentin e daljes së automjetit nga rruga, taksisti kishte tentuar të shmangte përplasjen me një automjet tjetër, por për shkak të shpejtësisë makina ka goditur kolonën prej betoni të karburantit. Për pasoja, makina ka pësuar dëmtime serioze ndërsa goditja ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e vetë taksistit që drejtonte automjetin e përfshirë në aksidentin e rëndë.