E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmon e dashura e Klodian Saliut



Armand Bajrami

Ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në gjyqin e Bandës së Durrësit, shtetasja V.Jaho, dëshmitarja e mbrojtur e prokurorisë. Vajza e cilësuar nga prokuroria si "karremi" i përdorur nga "banda e Durrësit" për nxjerrjen në pritë të Marsel Sotirit në vitin 1999, tregoi dje versionin e saj të ngjarjeve në një seancë maratonë te Krimet e Rënda. Në një seancë me dyer të mbyllura, referuar një vendimi të ndërmjetëm të gjykatës një seancë më parë, V.Jaho iu përgjigj pyetjeve të palëve në procesin në ngarkim të 16 të akuzuarve, si anëtarë të "bandës së Durrësit". V.Jaho, është motra e G.Jahos, dëshmitares tjetër të mbrojtur në këtë proces, e cila gjithashtu ka dijeni për ngjarjet. Burime të seancës bënë të ditur se dëshmitarja tregoi mbi lidhjen që kishte me Klodian Saliun, aktualisht i vrarë, dhe afrimitetin e krijuar me Marsel Sotirin, pak ditë përpara se ai të vritej në një pritë të armatosur. Sipas burimeve, gjatë dëshmisë, dëshmitarja ka pohuar fakte në kundërshti me ato që u pohuan nga motra e saj, një seancë më parë dhe nga vetë deklarimet e dhëna prej saj në organin e akuzës. Dëshmia e V.Jahos do të vijojë në seancën e ardhshme, ku ajo do të pyetet mbi detaje rreth "mbajtjes peng" të saj nga anëtarë të "bandës". Në pjesën e parë të seancës së djeshme, avokatët përfunduan pyetjen e dëshmitares G.Jaho, dëshmia e së cilës kishte nisur që në seancën e kaluar.
KUNDERSHTITE
Burime brenda seancës me dyer të mbyllura pohuan dje se dëshmitarja pranoi para gjykatës lidhjen e saj dashurore me Klodian Saliun. Ajo ka pranuar të kishte dijeni mbi vrasjen e Ilir Xhungës dhe Arben Pajës, miq të Klodian Saliut, ndërkohë që "nuk i ka dhënë të njohur" të pandehurve në proces. Në lidhje me fotografinë e Marsel Sotirit, të "servirur" nga Saliu, dëshmitarja është shprehur se fotoja nuk kishte ngjashmëri me realin. "Më kanë treguar një foto dhe më thanë që ky është Marsel Sotiri. Ndërkohë që kur njoha Marselin, pashë se ai nuk ngjante aspak me një djalë me flokë të gjata që pashë në foto", mësohet të jetë shprehur dëshmitarja V.Jaho. Po sipas burimeve, dëshmitarja dje ka mohuar para palëve që ajo të kishte bërë përpjekje të njihej me Marsel Sotirin. Në seancë V.Jaho është shprehur se vetë Marseli i kishte folur në një lokal në plazh, pasi i kishte paguar më parë faturën pijeve në tavolinë. Ndër të tjera, V.Jaho nuk ka pranuar dje që gjatë marrëdhënies së saj me Marsel Sotirin, t'i "raportonte" lëvizjet e tij anëtarëve të "bandës". Në dëshminë e saj, Jaho është shprehur se "gjatë kohës që unë shoqërohesha me Marsel Sotirim, Klodi nuk dinte asgjë". Në vijim, dëshmitarja ka treguar për shtëpinë në plazh, në afërsi të pistës "Iliria", të prenotuar nga Klodian Saliu. Për ditën e 22 gushtit 1999, kur u vra Marsel Sotiri, dëshmitarja tregoi se ai kishte përcjellë me makinë atë dhe motrën e saj deri afër shtëpisë. "Motra u largua pak minuta më përpara. Pastaj lëviza edhe unë. Sapo jam futur në shtëpi, kam dëgjuar krisma armësh", është shprehur dëshmitarja.

Avokatët, debat për ndërprerjen e seancës
TIRANE - Në seancën e djeshme nuk kanë munguar debatet mes palëve, këtë herë mes të njëjtit "krah". Burimet saktësuan se një nga debatet vijoi edhe jashtë sallës së gjyqit. Mësohet se pas kërkesës së avokatit R. Ponari për një pushim, është reaguar nga avokatët e tjerë, të cilët kanë kërkuar vijimin e seancës. Avokatëve "kundërshtues" kanë pretenduar se ndërprerja e seancës vinte në një moment kur dëshmitarja po devijonte nga deklarimet e dhëna në prokurori. Ndërsa seanca është ndërprerë për pak minuta, mësohet se avokati Ponari është "sulmuar" verbalisht edhe nga familjarë të të pandehurve jashtë ambienteve të gjykatës.

G.Jaho: Motrën e morën Klodian Saliu me Taullain
TIRANE - Dëshmia e G.Jaho, motrës së V.Jahos, e përfunduar dje, filloi në seancën e së hënës, kur dëshmitarja tregoi mbi "pengmarrjen" e motrës së saj, nga të akuzuar në proces. Ajo tregoi për marrëdhënien e motrës së saj me Marsel Sotirin dhe ndërmjetësimet për të kontaktuar me motrën e saj V.Jaho, pasi ishte marrë peng. "Klodi i ka treguar një foto të Marselit, motrës sime V.Jaho. I ka thënë që duhet të afrohej me të. Po Klodi na prenotoi një dhomë në një shtëpi në plazh. Ishte një shtëpi në drejtimin e pistës 'Iliria'. Nga dritarja e dhomës ku ishim ne, dukeshin shinat e trenit. Motra krijoi afrimitet me Marselin. Një ditë, Marseli na shoqëroi për nga shtëpia në plazh. Unë i lashë ata të ecnin mbrapa. Sa u futëm në shtëpi, dëgjuam krisma. Ne lëvizëm nga shtëpia në plazh, pasi kishim një të sëmurë. Vrasjen e Marselit e morëm vesh nga shpalljet në mur. Atë natë erdhën te shtëpia Klodi Saliu me Indrit Taullain. E morën V. dhe i thanë që: 'rrezikohesh nga policia dhe ai grupi tjetër'. Më siguruan edhe se asaj nuk do t'i prekej asnjë fije floku", u shpreh G.Jaho në seancën e kaluar. ar.ba

Ish-polici: Motra e vajzës hoqi dorë nga kallëzimi
TIRANE - Albert Strati, ish-inspektor në Policinë e Durrësit dëshmoi disa seanca më parë për kërkesën e dëshmitares G.Jaho, në vitin 2001, për depozitimin e një kallëzimi penal për Klodian Saliun dhe Indrit Taullaun. Dëshmitari tha se G.Jaho ishte rekomanduar për tek ai nga një mik i tij, pasi më parë asaj nuk i ishin pranuar kallëzimet. Po sipas dëshmitarit, pas një takimi me një nga "të dyshuarit" për rrëmbimin, në po të njëjtën ditë, G. Jaho kishte hequr dorë nga kallëzimi. "Kam bërë gabim që do t'i kallëzoja. Ata janë djem të shkëlqyer. Motrën nuk ma kanë marrë peng", citoi në seancë dëshmitari fjalët që kishte dëgjuar nga G.Jaho. Ndërkohë që në deklarimet e tij përpara prokurorëve në vitin 2006, dëshmitari Strati Kishte pohuar se "Në vitin 2001, para zgjedhjeve të përgjithshme, një vajzë donte të bënte një kallëzim për motrën e saj që dyshonte se ishte vrarë. Për këtë dyshonte grupin e Spitallës. Për shkak të punës, mësova që dyshohej se ajo ishte përdorur për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin dhe për të mos dalë dëshmitare në proces dyshohej se e kishin vrarë". ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›