Vjedhja me karta krediti, Gjykata e Tiranës: Burg tetë autorëve
TIRANE- Gjykata e Tiranës la në fuqi dje masat e sigurisë "arrest me burg" të marra në mungesë për tetë të arrestuarit për akuzën e "mashtrimit kompjuterik" nga operacionit "Concord" ditën e hënë. Sipas prokurorisë, të pandehurit, punonjës dhe drejtues të agjencive të biletave të udhëtimeve, kryenin blerje "on-line" me karta krediti të klonuara, në dëm të kompanive ajrore. Referuar vendimit të togave të zeza të gjykatës së kryeqytetit të pandehurit Zenel Buchala, Ken Kormani, Arjan Troka, Ilir Arapi, Erjon Jaupllari, Etleva Minxhozi, Elizabeta Bengasi dhe Flora Nikaj do të qëndrojnë në masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Duke filluar në orën 10:00 të ditës së djeshme ata u paraqitën njëri pas tjetrit në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë të caktuar në mungesë ndaj tyre. Mësohet se të gjithë të pandehurit kanë kërkuar një masë sigurie më të lehtë se ajo e "arrestit me burg". Burime të gjykatës sqaruan se i pandehuri Zenel Buchala, i dyshuari kryesor i prokurorisë, nuk shfaqi pretendime në sallën e gjyqit. Ndërsa i pandehuri Erion Jaupllari ka pohuar se biletat e blera tek agjencia e Buchalës nuk i ishin kundërshtuar nga klientët. "Kam rënë në kontakt me Xenin (Zeneli Buchalën). Më është prezantuar si drejtues i një agjencie shitjesh biletash udhëtimesh ajrore në Kosovë. Xeni më ofroi një favor, që pagesa e biletave të bëhej çdo fund muaji. Janë shitur 17 bileta që nuk kanë pasur kontestime. Kodet dhe të dhënat e nevojshme ia jepja Xenit me telefon", mësohet të jetë shprehur i pandehuri Jaupllari. Operacioni i sektorit të anti-krimit ekonomik në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë të Prokurorisë së Tiranës u finalizua ditën e hënë. Sipas hetimeve, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer shpërndarje të biletave të udhëtimeve të prera në agjencitë e udhëtimit në Tiranë, apo në qytete të tjera, duke paguar "on-line" me karta krediti të vjedhura, apo të klonuara. ar.ba
Të arrestuarit
Zenel Buchala
Ken Kormani
Arjan Troka
Ilir Arapi
Erjon Jaupllari
Etleva Minxhozi
Elizabeta Bengasi
Flora Nikaj
Masa e sigurimit: Arrest me burg, pa afat
Akuza: Mashtrim kompiuterik
Shuma e vjedhur, 115 mijë euro