Shupo shqipëron poezitë ‘ilegale’ të Staneskut
Alma Mile
Kur ishte vetëm 19 vjeç e kishte lënë pas vetes një vend të mbyllur, që pretendonte se ishte "shkëmb graniti në buzë të Adriatikut", ai mahnitej kur dëgjonte se si ata njerëz flisnin aq hapur e nuk i trembte asgjë. Poeti Nikita Stanesku binte në sy ndër të tjerë. Disa thonë se vdiq, të tjerë se e vranë në spital, pasi ishte i "pazbutshëm". Këtë rebel të letërsisë rumune, kandidat për çmimin "Nobel" kompozitori e muzikologu Sokol Shupo na e sjell për herë të parë të plotë në shqip.Nën tingujt e muzikës rumune, interpretuar në piano nga pianistja Nora çashku, fotografitë e videot që të çonin në universin e Staneku, dje, në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u prezantua vëllimi me poezi "Vepra të zgjedhura", i poetit Nikita Stanesku. Shqipëruesi nuk është një përkthyes i mirëfilltë dhe thotë se për të nuk ishte edhe aq e lehtë. Por sipas shkrimtarit Agron Tufa, nuk mund të kishte një përkthyes më ideal për poezinë e Stanesku se një muzikant. Poeti Ermir Nika, shkrimtari Agron Tufa e atasheu kulturor i Ambasadës Rumune, Mihai Tican, vlerësuan mënyrën se si Shupo e ka sjellë këtë poet të vështirë në shqip, duke vijuar traditën e lidhjes së hershme shqiptaro-rumune.
Ju njohin si muzikolog, si kompozitor, ç'ju shtyu drejt poezisë?
Unë lexoj shumë poezi. Jo nga ato poezitë romantike, por këto "të rejat", të cilat të ngacmojnë e të bëjnë të provosh shumë ndjesi, qoftë edhe prej rrafshit të shprehjes. Me Staneskun dhe poetë të tjerë rumunë, më lidh sentimentalisht koha e studimeve. Kur ne ishim studentë në Bukuresht, në Lidhjen e Shkrimtarëve Rumunë, i kam parë personalisht këta njerëz dhe për ne që shkonim atje në vitin 1972, prej një bote të mbyllur, ato çka ata lexonin ishin të frikshme. Dhe në një farë mënyre ajo kohë më shërbeu për të hapur sytë. Kështu që jam shumë i lidhur me atë kohë. Nuk është se hyra përmes tyre në kulturën botërore, megjithatë ishte një atmosferë shumë pozitive, që të nxiste.
Thatë se e keni ndjekur nga afër, çfarë kujtoni nga poeti?
E kam parë kur diskutonte. Në fillim më bënte shumë përshtypje. Ishte një njeri që bënte një jetë gati boheme, deri sa u sëmur rëndë nga leucemia. Thonë se e kanë çuar me zor në spital, pasi nuk donte të shkonte atje dhe nuk dihet në vdiq, apo e vranë. çka të bënte përshtypje ishte mënyra se si ai i thoshte gjërat fare hapur. Edhe poezia e tij është e tillë. Ku shprehet më hapur dhe ku më fshehur. Stanesku është nga ata poetë që në çdo fjalë, në çdo shprehje të ngacmon e nuk të lë të qetë.
I vështirë për t'u përkthyer?
Shumë i vështirë. Duhet thënë që përkthimi nuk është profesioni im e si muzikolog më duhej t'i bindesha prirjes së ritmit dhe të rimës. Dhe kjo ishte e vështirë në poezinë e Staneskut, njëkohësisht e thellë dhe e shprehur me rimë dhe më duhej të gjeja fjalët e duhura për ta shprehur sa më mirë atë. Ndodhte që në shqip vargu të dukej fare fëminor dhe duhej t'i rikthehesha sërish për të gjetur fjalën, apo figurën.
Sa i njohur është Stanesku në Shqipëri?
Nuk njihet shumë. Disa vite më parë kam botuar një cikël poezish në revistën letrare "Alef", Dionis Bubani ka botuar gjithashtu disa poezi, por asnjëherë në mënyrë të plotë.
Atëherë mund të thuhet se kjo është hera e parë që ky poet vjen i plotë në shqip?
Po, mund të thuhet se është hera e parë. është një përmbledhje mbi 350 faqe, ku unë kam përfshirë poezitë më pikante të tij nga të gjitha periudhat. Që nga poezitë e hershme me një stil më popullor, por shumë më të hapura dhe të guximshme, tek elegjitë e famshme të periudhës së mesme dhe poemat e mëdha, gati abstrakte, që i përkasin periudhës së fundit.
Nëse do të ktheheshim pas në kohë, në vitet e diktaturës, si e kujtoni kohën kur ju thanë se do t'ju duhej ta linit shkollën përgjysmë?
Ishte një qark i mbyllur, nga i cili nuk mund të lëvizje, një çark, nga i cili nuk mund të shpëtoje. Unë nuk kisha ndër mend që të rrija atje dhe pas '90-ës, kur jam rikthyer, nuk e kam pasur këtë grishje, por ajo që më trishtoi ishte që na shkëputën nga ajo lloj kulture. U detyrova të mbyllesha në vetvete. Në atë periudhë, për fat, kishte edhe ndonjë punonjës të urtë në doganë dhe ia kam dalë të marr edhe libra, edhe poezi, apo studime. Më pas, kur u ktheva pas 22 vitesh që isha larguar prej andej, e bleva të plotë.
ç'ruani nga shkolla e Bukureshtit?
Ishte një shkollë me tradita, me një emër të mirë në Evropë. Kompozitorët dhe muzikantët e asaj shkolle koncertonin dhe ishin të njohur nëpër Evropë. Ishte një shkollë me nivel dhe e ka ruajtur atë edhe sot. Pati një luhatje në vitin 1989 në kohën e rënies së çausheskut, por ishte thuajse e papërfillshme.
Do ta pasojë Staneskun ndonjë poet tjetër?
Kam edhe dorëshkrime të tjera. është një tjetër poete, më e re se Stanesku, Ana Blandiana, që po është po kaq shprehëse. Kohët e fundit e takova personalisht. është po kaq interesante, por ndoshta më e vështirë se Stanesku, i cili sidoqoftë na hyri në natyrë, duke e njohur qysh në rini. Nëse do të rrish pak kohë larg Tiranës, kur kthehesh e ndjen se diçka ka ndryshuar, ka ndryshuar dialekti... Ana Blandiana më krijon këtë ndjesi.
Mes punës si dekan, si muzikolog, ku e gjeni kohën edhe për poezinë?
Unë fle shumë pak dhe kur zgjohem nuk mbaj mend asgjë dhe si fizkulturë kam gjithnjë gati një libër për të përkthyer në kompjuter, të cilin e punoj avash-avash deri sa vjen koha për ta redaktuar e botuar.
është poezia një mënyrë për t'iu larguar zhurmës të së përditshmes?
është mënyra më e mirë.
Përkthyesi
Sokol Shupo, kompozitor dhe muzikolog i nisi studimet e larta në Akademinë e Muzikës në Bukuresht, por për shkak të izolimit total të Shqipërisë diktatoriale, vitin e fundit të akademisë e kryen në Tiranë, ku edhe diplomohet, në klasën e çesk Zadesë. Firmën e tij e mbajnë vepra, simfoni, koncerte, kantata, suita, etj., të cilat janë luajtur në disa vende të Evropës nga muzikantë shqiptarë e të huaj. Ka botuar 12 libra mbi folklorin muzikor, muzikën e re dhe të vjetër dhe ka përkthyer e botuar në shqip 22 vepra, kryesisht pedagogjikë. Mund të përmendim "Folklori muzikor shqiptar" vol 1 dhe 2, "Shkrimi muzikor dhe sistemi modal i muzikës bizantine", "Muzika gjermane pas '45", "Fjalor muzikor në 5 gjuhë", "Enciklopedia e muzikës shqiptare", "Harmonia", si dhe përkthime të veprave të Schonberg, De la Motte, Stravinski, Casella, etj. është organizator i aktiviteteve të rëndësishme kulturore në vend. Aktualisht është Dekan i Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Poeti
Nikita Stanesku është një nga figurat më përfaqësuese të letërsisë rumune. Poet, shkrimtar, eseist dhe akademik rumun, ndarë nga jeta në moshën 50-vjeçare, më 1983-in. I konsideruar si nga kritika letrare, ashtu edhe nga publiku i gjerë, si një ndër shkrimtarët më të njohur që ka pasur ndonjëherë gjuha rumune, të cilën ai vetë e cilësonte si një "bukuri hyjnore", Stanesku për nga këndvështrimi i periudhës, strukturës dhe formës, i përket poezisë moderniste, ose poezisë neomoderniste rumune të viteve 1960-1970. është nderuar me çmime të shumta, ndër të cilat çmimi "Herder" dhe është fitues 4 herë i çmimeve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Në vitin 1980 ishte një nga pretendentët kryesorë për çmimin "Nobel" në letërsi. Numëron një numër të madh veprash poetike edhe në prozë, si "Zhargone", "Kuptimi i dashurisë", "Një vizion i ndjenjave", "Drejtësia në kohën e duhur", "E kuqja vertikalisht", "Antologjia Alfa", etj.