E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtime mbi prona publike, ALUIZNI: Bëni privatizimin



SHKODER/ RIDVAN DIBRA

"Ndërtimet pa leje në tokat shtetërore do të konsiderohen pronë publike nëse pronarët e tyre nuk plotësojnë detyrimet për legalizimet e tyre në kohë". Kështu u shpreh drejtori i ALUIZNI-t të Shkodrës, Agron Akshija, i cili u bën thirrje banorëve të interesohen në institucionet përkatëse, për të dorëzuar dokumentacionet e duhura brenda afatit. Procesi i regjistrimeve të këtyre ndërtimeve do të zgjasë gjer në fund të vitit. Më pas, nëse nuk janë plotësuar detyrimet nga ana e banorëve, prona do t'i kalojë shtetit. Sipas Akshisë, problemet me regjistrimin e pronave do të zgjidhen nëse do të vazhdohet të ecet sipas procedurave të ALUIZNI-t, kryesisht në periferi të Shkodrës dhe në Malësinë e Madhe, ku ka probleme të pazgjidhura me ndërtimet e realizuara në tokat shtetërore. "Deri në fund të vitit 2010 është parashikuar që i gjithë procesi të përfundojë. Ky afat është mëse i mjaftueshëm, për t'u lënë kohë të interesuarve që të plotësojnë të gjitha detyrimet dhe procedurat ligjore", u shpreh kreu i ALUIZNI-t, Akshija. Sipas tij, nëse nuk do të kryhen procedurat e nevojshme nga të interesuarit, ndaj tyre do të ketë ndëshkime. "Të gjitha këto sipërfaqe do të kalojnë si pronë publike dhe ndaj tyre do të veprohet njëlloj si një pronë e shtetit. Personat që kanë ndërtuar në këto sipërfaqe nuk do të kenë më të drejtë mbi të", sqaroi më tej Agron Akshija. Nëse një hap i tillë do të merret, atëherë personave që kanë bërë ndërtime do t'iu duhet që të bëjnë riblerje të kësaj sipërfaqeje. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, të gjithë individëve që kanë ndërtuar në toka shtetërore, iu jepet mundësia që këto toka të kthehen në pronë private. "Këshilli i Ministrave iu ka dhënë të drejtën qytetarëve që të blejnë pronë publike. Mbas këtij vendimi të qeverisë, atyre iu jepet e drejta që të lidhin një kontratë me ALUIZNI-n. Ky është dhe hapi i parë", u shpreh kreu i këtij institucioni. Mësohet se është vendosur që brenda vijës së verdhë u jepet e drejta për privatizim vetëm për një sipërfaqe jo më shumë se 300 metër katrorë, me një çmim 400 mijë lekë të reja. Sipas Akshijës, fundi i dhjetorit 2010 do të shënojë dhe përfundimin e këtij procesi. "Ne jemi mëse të bindur se ky proces do të mbarojë në fund të dhjetorit. Ne i kemi përgatitur të gjitha dosjet dhe tashmë puna ecën normalisht", bëri të ditur Akshija. Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje banorëve të interesuar që të bëjnë pagesat e nevojshme. "U bëjmë thirrje banorëve të përfshirë në procesin e legalizimit që të kryejnë detyrimet, pasi vetëm kështu mund të ecë normalisht kjo fazë", deklaroi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›