Përleshje me thika, tre të plagosur në Tiranë
Etleva Delia
Dy konflikte të ndryshme, mes disa adoleshentësh në dy zona të Tiranës, shkaktuan dje plagosjen e tre personave. Ngjarja e parë ndodhi në Kamëz, pas një debati mes dy adoleshentëve, që kishin ndarë secili grupet e tyre në lagje dhe mbaheshin si të "fortët" e zonës. Një shikim shtrembër ka shkaktuar fillimisht debatin mes 18-vjeçarit, Arben Memuka dhe Oligert Ketës, 19 vjeç, të dy me origjinë nga Kukësi dhe banues në Kamëz. Dy adoleshentët janë përballur me njëri-tjetrin në një rrugicë, por pa praninë e grupeve të mbështetësve të tyre, ku nuk kanë nguruar të përdorin thikat. Nga përleshja mbeti i plagosur Arben Memuka, i cili u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Efektivat e Komisariatit nr.5 shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, që kanë rrethuar vendin e krimit dhe kanë shoqëruar në polici dëshmitarët e pranishëm. Brenda disa orësh, policia identifikoi dhe vendosi në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili është 19-vjeçari Oligert Keta. Pas kapjes së tij, policia sekuestroi edhe thikën me të cilën ai plagosi adoleshentin tjetër. Burime nga policia thanë se kanë marrë në pyetje rreth ngjarjes të plagosurin Memuka, si dhe autorin e dyshuar Oligert Keta, i cili akuzohet për "plagosje të rëndë me dashje". Gjatë dëshmive të tyre, të dy protagonistët e ngjarjes kanë shpjeguar motivet e konfliktit mes tyre. Disa orë më pas, një ngjarje tjetër e rëndë ndodhi te rruga e Elbasanit, vetëm disa metra larg kryqëzimit të Qytetit Studenti. Konflikti që kishte nisur prej ditësh mes dy grupe të rinjsh për një femër, përfundoi me 2 adoleshentë të plagosur, ndërsa autorët e dyshuar arritën të largohen nga vendi i ngjarjes, por u identifikuan dhe u shpallën në kërkim nga policia. Burime nga kjo e fundit thanë se të plagosurit janë dy 17-vjeçarë, me iniciale R.L. dhe K.L, ndërsa autorët e dyshuar të ngjarjes, janë Leonard Gjeta dhe Halil Elezi, të gjithë banues në Vorë. Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati mes Leonard Gjetës dhe 17-vjeçarit K.L., pasi autori ishte lidhur me ish-të dashurën e të plagosurit. Gjatë debatit mes tyre, ka nisur edhe sherri ku u përfshinë edhe miqtë përkatës të dy djemve. Sipas policisë, dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.