Reshjet e dëborës bllokojnë zonat veriore të vendit
reshjet e dëborës që kanë rëndë ditët e fundit. Po ashtu, ditën e djeshme janë shënuar edhe aksidentet e para për shkak të këtyre reshjeve, bilanci i të cilave ka qenë një i vdekur dhe dy të plagosur. Moti i keq, me reshje dëbore, ka krijuar probleme në zonat veriore të vendit, duke shkaktuar bllokim të akseve kryesore dhe mungesë energjie. Sipas informacioneve nga autoritetet lokale, akset e bllokuara janë Kukës-Qafë Mali, Kukës-Krumë-Qafë Prush dhe Kukës-Peshkopi. Si pasojë e bllokimit të rrugëve janë izoluar edhe më shumë komunat veriore të Kalisit, Ujmishtit, Grykë Çajit, Shishtavecit, Zapotit e Topojanit. Tepër problematike nga reshjet e dëborës situata paraqitet edhe në Has, ku kanë mbetur të izoluara nga bora komunat Golaj e Fajza, ndërsa në Tropojë ajo e Valbonës. Ndërkohë, në komunat Shtiqen, Kalis Ujmisht dhe Arren moti i keq ka shkaktuar dëme në rrjetin energjetik, duke i lënë ato në terr.
Situata
Reshjet e dëborës të rëna duke filluar që nga mbrëmja e së enjtes kanë krijuar një situatë të vështirë, kryesisht në zonën e Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Trashësia e dëborës prej gjysmë metri në disa rrugë ka bllokuar qarkullimin dhe ka lënë pa komunikim shumë komuna. Deri dje në mesditë rruga Kukës – Qafë-Mali kalohej me shumë vështirësi, vetëm me zinxhirë. Për rrjedhojë, policia ndaloi lëvizjen e mjeteve të rënda për të mos krijuar bllokim të trafikut. Rruga Kukës-Peshkopi është bllokuar, e po ashtu edhe rruga drejt Shishtavecit. Me shumë vështirësi lëvizet edhe në aksin Kukës-Has dhe Has-Tropojë. Ndërkaq, të bllokuara janë komunat Arrën, Kalis, Zapod, Grykeçaj, Shishtavec, Fazaj dhe Golaj. Vetëm në Tropojë janë të bllokuara komunat Valbonë dhe Lekbibaj.
Reshjet
Reshjet e shumta të dëborës që në qytetin e Kukësit kanë arritur në 30 centimetra kanë lënë pa energji të gjitha komunat dhe tri lagje të qytetit. Shkak është rrëzimi i shtyllave të tensionit nga pesha e borës, si dhe dalja jashtë pune e katër fidrave në nënstacionit e Rexhepajt. Në Pukë rezultojnë të bllokuara komunat Iballë dhe Fierzë, ndërsa në Shkodër janë bllokuar rrugët që lidhin Dukagjinin. Po ashtu rruga është e pakalueshme në Malin e Shoshit dhe në Qafën e Malit. Në Malësinë e Madhe nuk kalohet në Qafën e Brodolecit dhe në Qafën e Thorës. Në qarkun e Lezhës në zonat e thella lëvizet me vështirësi në disa komuna.
Rrëshen, bora izolon tre furgonë shkolle, nxënësit i shtyjnë vetë
Tre furgonë që transportonin nxënës shkolle dhe pasagjerë nga qytetit i Rrëshenit në fshatrat periferike të tij kanë mbetur të bllokuar për rreth 40 minuta në vendin e quajtur Prosek, pjesë e aksit nacional Rrëshen-Lurë.
Mësohet se rruga të cilën duhej të kalonin furgonët ishte malore dhe tejet e amortizuar, ndërsa ngrica e bënte dhe më të vështirë qarkullimin në të. Në furgonë gjendeshin rreth 25-30 nxënës që e bënin mësimin në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme që ndodhen brenda në qytet. Fëmijët kishin përfunduar mësimin dhe së bashku me pasagjerë të tjerë me fuëgonë ishin nisur drejt shtëpive të tyre në fshatrat Perlat dhe Kthellë. Furgoni që ka prirë i pari rrugën nuk ka mundur të vazhdonte dot më tej, pasi nuk ishte i pajisur me zinxhirë, duke bllokuar kështu për rreth 40 minuta qarkullimin në aksin nacional Rrëshen-Lurë. Pas kësaj, pasagjerët kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve vendore, ndërsa janë përpjekur të dalin vetë nga situata. Për këtë arsye, nxënësit që ndodheshin në furgon, me ndihmën e pasagjerëve të tjerë, e kanë shtyrë furgonin derisa mjeti ka arritur të kalojë aksin e vështirë. Më pas fëmijët kanë marrë rrugën drejt banesave të tyre në fshatrat përreth.
Në Bulqizë reshjet e borës vazhdojnë të bien pa mbarim, ndërsa disa komuna janë izoluar nga bora.
19 Dhjetor 2009