E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kemi nevoje per eksperiencen e opozites

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ftoi opozitën të japë eksperiencën e saj në përmirësimin e klimës ekonomike në vend. Meta theksoi se opozita duhet të distancohet nga akuzat për përkeqësim të ekonomisë së vendit dhe falimentimin e bizneseve. Sipas tij, minoranca politike është e ftuar që të japë eksperiencën e saj në përmirësimin e klimës së biznesit dhe parametrave të tjera ekonomik, sidomos kur tani Shqipëria ka marrë në dorë edhe pyetësorin për të përfituar më pas statusin e vendit kandidat për në BE. Meta theksoi se për të arritur këta parametra duhet ndihma e të gjithë faktorëve politikë, pasi pyetësori nuk është vetëm për qeverinë, por për gjithë Shqipërinë. Ai vuri në dukje se procesi i integrimit është një proces që do të vijojë përtej mandatit të çdo qeverie dhe mbi të gjitha është një proces i cili është në interesin e gjithë qytetarëve shqiptarë. “Jo vetëm që situata ekonomike do të vijojë të jetë e qëndrueshme, jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje ekonomike pozitive, jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja në vend, por pa asnjë diskutim, qeveria do ti realizojë të gjitha objektivat e saj dhe unë do të ftoja të gjithë përfaqësuesit e opozitës që të mos u kundërvihen reformave ekonomike dhe sociale”, theksoi Ilir Meta,gjatë një deklarate për shtyp. I pyetur mbi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme si zgjidhje për ngërçin politik, nëse dy liderët Rama e Berisha ulen në negociata, Meta u shpreh se dialogu i ka të gjitha mundësitë. “Dialogu në çdo rast ndërtohet mbi disa parime dhe qëllime të përbashkëta. Në këtë drejtim unë mendoj se dialogu në çdo rast i ka të gjitha mundësitë për të qenë i shëndetshëm dhe si suksesshëm. Gjë që do të thotë se kur qëndron mbi parime të tilla, ku parimi kryesor është ai i shtetit ligjor, respektimit të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve”,- theksoi Meta.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›