E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në aksin Rrëshen- Kalimash, 2 të plagosur



Dy aksidente, por fatmirësisht pa viktima, kanë ndodhur pasditen e djeshme në aksin Rrëshen- Kalimash. Në dalje të tunelit të Thirrës tre automjete me targa të huaja janë përplasur me njëra- tjetrën ku për pasojë një shtetas maqedonas është plagosur dhe po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Rrëshenit. Safet Mekiç 40 vjeç, është emri i të plagosurit. Një tjetër aksident me pasojë plagosjen e një kalimtari është shënuar në fshatin Klos të komunës Fan. Një kamion i tonazhit të rëndë ka aksidentuar 28 vjeçarin Nikolin Prenga, i cili pas frakturave si pasoje e përplasjes ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Rrëshenit.

Kurbin

Arrest gruas, Që tentoi të vrasë burrin për xhelozi

Gjykata dha dje masën e sigurisë për 31-vjeçaren nga qyteti i Mamurrasit pasi dyshohet si autorja e vrasjes së mbetur në tentativë për motive xhelozie të bashkëshortit të saj. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë me dije se, Monda Dedaj u kap në banesën e saj pas sinjalizimit për ngjarjen. Mësohet se prej disa kohësh, bashkëshortët Dedaj kishin konflikte me njëri-tjetrin për motive xhelozie. Kryefamiljari ishte duke fjetur në dhomën e gjumit, kur gruaja e tij, Monda ka vendosur të marrë hak. Ajo ka marrë thikën e bukës në kuzhinë dhe ka goditur të shoqin, duke e plagosur rëndë. Viktima është dërguar fillimisht në spitalin e Laçit, ku ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për ndihmë më të specializuar. Monda Dedaj është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Kurbinit, pas masën e sigurisë ndaj saj dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e këtij rrethi.

Durrës

Italia i dhuron Marinës Ushtarake shqiptare dy anije kundër ndotjes në det

Qeveria italiane ka financuar blerjen e dy anijeve të specializuara kundër ndotjes bregdetare. Anija e parë mbërriti paraditen e së martës në portin e Durrësit, e imbarkuar në bordin e anijes ushtarake italiane “Caprera”. Burime zyrtare nga Delegacioni Italian i Ekspertëve (DIE), me qendër në Tiranë, bënë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit me Forcat e Armatosura shqiptare dhe duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit detar, qeveria italiane financoi blerjen e dy anijeve kundërndotjes me vlerë 750 mijë euro, dhuratë për Brigadën ushtarake Detare shqiptare. Burimet shtuan se në këtë mënyrë zgjerohet spektri i bashkëpunimit italo-shqiptar duke kapërcyer sektorin e ngushtë ushtarak dhe duke siguruar kapacitete operacionale shumë të mira në luftë kundër ndotjes detare, çka do të jetë një nxitje edhe për ruajtjen e ekosistemeve delikate nënujore. Dy anijet, me gjatësi rreth 16 metra dhe gjerësi 4 metra, janë të pajisura secila me 2 motorë prej 230 kuaj fuqi. Anijet janë të pajisura me një sistem hidraulik (SKIMMER) për rikuperimin e materialeve të ngurta që qëndrojnë mbi ujë dhe me një sistem hidraulik me cilindra rrotullues për mbledhjen dhe spastrimin e hidrokarbureve. DIE bashkëpunon me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura që nga viti 1997 dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e standardeve të NATO-s.

Korçë

Ujërat e zeza në sipërfaqe, rrezik epidemie

Rrjeti i amortizuar i sistemit të ujërave të zeza, në fshatin Zape në rrethin e Korçës rrezikon përhapjen masive të epidemive. Çarja e tubave bën që këto ujëra të dalin në sipërfaqe duke rrezikuar shëndetin e më se 100 banorëve. Dhe pse gjendja vazhdon prej disa kohësh të jetë shqetësuese, askush nuk ka ndërhyrë për normalizimin e situatës. Janë banorët ata që ngrenë shqetësim teksa kërkojnë përmes mikrofonit të televizionit “News24” marrjen sa më të shpejtë të masave. Duke u shprehur se dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe ka sjellë probleme shëndetësore, sidomos tek fëmijët. Shpesh herë kjo situate është bërë shkak i infeksioneve në lëkurë nga ndotja e mjedisit. Edhe pse u munduam të kontaktonim me autoritetet vendore, askush prej tyre nuk u tregua i gatshëm për të dhënë shpjegime. Ndërkohë banorët e fshatit Zape, kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërhyhet për përmasimin e kanalizimit të ujërave të zeza, do të dalin në protesta.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›