Rreth 5 mijë turistë me kroçera dhe jahte në port
Rreth 5000 turistë me 26 kroçera dhe 146 jahte turistike kanë mbërritur gjatë këtij viti në portin e Durrësit, duke e renditur qytetin e lashtë në një nga qendrat më të preferuara të Mesdheut. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë rajonale të kufirit dhe migracionit, bënë të ditur sot për ATSH-në se më shumë se 80 për qind e kroçerave dhe jahteve turistike kanë mbërritur në Durrës gjatë stinës së verë. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga Franca, Gjermania, SHBA, Finlanda, Rusia, si dhe nga vende të tjera të Evropës, shprehen burimet. Sipas tyre vetëm kroçera “Arion” në kuadër të tureve turistikë mesdhetarë ka kryer 13 lundrime drejt Durrësit. Gjatë qëndrimit në Shqipëri grupet e turistëve të huaj, në bashkëpunim me agjencitë shqiptare turistike, kanë vizituar qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit, Krujës dhe Tiranës. Burimet e Policisë Kufitare thanë se pas qëndrimeve 1-2-ditore, kroçerat e mëdha me gjatësi deri në 140 metra u janë drejtuar porteve turistike të vendeve fqinje, si Korfuzi (Greqi), Venezia (Itali), Dubrovniku (Kroaci), Bar (Mali i Zi), etj. Shumë turistë që kanë preferuar të lundrojnë drejt Durrësit me jahte private janë ankoruar në portin detar nga 1-4 ditë. Sipas burimeve, 146 jahtet turistike të regjistruara në pikën e kontrollit kufitar kanë lundruar shpesh herë edhe në drejtim të porteve të Shëngjinit, Vlorës, Orikumit apo Sarandës.
28 Gusht 2009