E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Një pjesë e kryesisë qëndrim punist dhe primitiv

 

Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi tha dje se do të paraqesë paketën me ndryshimet statusore për diskutim në kongres, ndërsa e cilësoi një pjesë të kryesisë si puniste në qëndrim. Blushi arsyeton se ndryshimet në statutin e socialistëve nuk u pranuan për shkak të krijimit të një alibie personale të humbjes së zgjedhjeve. Megjithatë tha ai përpjekjet nuk përfundojnë këtu. “Nuk ka ndryshim në qëndrimin tonë pavarësisht nga pozicioni punist dhe shumë primitiv i një pjese të kryesisë. Kjo ishte parashikuar nga ana jonë, sepse kryesia është lidhur me interesa me ish-kryetarin e PS dhe ky qëndrim u reflektua edhe mbrëmë” shton Blushi. Duke folur për procesin zgjedhor mes socialisteve, Blushi tha se gara është një farsë, megjithatë ai ngurron të flasë për rolin e Ben Malajt në këtë garë. “Dua t’i heq secilit mundësinë për të bërë tifozllik apo për të dalë kundër meje në një garë që nuk është garë. PS e kishte zgjedhur Edi Ramën për të mundur Sali Berishën, gjë që nuk ndodhi dhe Edi Rama nuk mund të ngushëllohet në këtë kongres duke mundur shokët dhe aleatët e vet”, thekson Blushi. Mandati i Edi Ramës në rast se zgjidhet kryetar i Partisë Socialiste do të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale sipas Ben Blushit, pra vetëm dy vjet. I tërhequr nga kjo garë, Blushi e quan “votëbesim” procesin e zgjedhjes së Ramës në krye të Partisë Socialiste këtë shtator. “Ai konsiderohet një mandat i ndërprerë. Mandati i kryetarit të PS ka filluar në 2007 me zgjedhjet sipas parimit ‘1 anëtar, një votë’ dhe sipas statutit presupozohet se është 4-vjeçar. Pra, ky mandat është ndërprerë dhe po konkurrohet për tepricën e tij, për pjesën e mbetur, që do të thotë gati 2 vjet. Unë nuk mendoj që kemi zgjedhje brenda PS, kemi votëbesim. Ish-kryetari i cili ka humbur zgjedhjet po kërkon një votëbesim brenda PS për të marrë dhe tepricën e mandatit që i ka mbetur për arsye statusore”, u shpreh dje Ben Blushi për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›