E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ra me kamionin nga lundra e kanalit të Butrintit, vdes shoferi



Sarandë - Drejtuesi i një kamioni ka gjetur vdekjen dje në mëngjes, gjatë tentativës për t’u imbarkuar në lundrën që shërben për kalimin e automjeteve të vogla dhe banorëve nga njëri krah i i kanalit të Vivarit në tjetrin, në Butrint të rrethit të Sarandës. Kjo është dhe rruga më e shkurtër që të çon edhe në doganën e Qafëbotës, që lidh Shqipërinë me Greqinë. Kamioni që drejtohej nga Flamur Hasani, 42 vjeç, është batuar së bashku me lundrën dhe për shkak të rëndesës si pasojë është fundosur në ujërat e kanalit të Vivarit. “Mjetet e tonazhit të rëndë nuk lejohen të imbarkohen në lundrën që lidh qytetin antik të Butrintit me krahun tjetër të zonës dhe drejtuesi i kamionit ka tentuar të imbarkohet forcërisht në të”, -thanë për gazetën “Albania” burime të policisë që ishin në vendngjarje. Forcat e policisë janë duke punuar për normalizimin e situatës si dhe po orientojnë automjetet që të lëvizin nga rruga tjetër drejt Qafëbotës. Aktualisht pritet që të mbërrijnë dhe polumbarët për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të drejtuesit të kamionit nga ujërat e kanalit të Vivarit. Policia e Sarandës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje, rreth aksidentit që ndodhi në lundër, kur drejtuesi i kamionit, Flamur Hasa, 42 vjeç u batua bashkë me të për shkak të rëndesës dhe si pasojë, u përmbyt në ujërat e kanalit të Vivarit, shtetasin Zylyftar Kuqo, punëtor i turnit të shërbimit të lundrës. Po ashtu nisur nga kjo ngjarje nuk do të funksionojë për dy ditët e ardhshme për shkak të dëmtimeve platforma e lundrës që lidh dy brigjet e kanalit të Vivarit pranë Parkut Kombëtare të Butrintit, rreth 17 kilometra larg qyteti të Sarandës. Shefi i Qarkullimit rrugor në Komisariatin e Sarandës, Gjylani Shehu tha dje për mediat se “kavoja metalike që shërbente për të tërhequr platformën e lundrës është dëmtuar plotësisht dhe për ta rregulluar atë, duhen të paktën 48 orë”. Sipas tij, "gjithë drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë drejt doganës së Qafëbotës, që lidh Shqipërinë me Greqinë, duke përdorur kanalin e Vivarit, duhet të qarkullojnë në rrugët e tjera që të çojnë në këtë doganë”. Shehu nënvizoi se në afërsi të fshatit Çukë është ngritur një postbllok për të udhëzuar emigrantët që rikthehen pranë vendeve të punës në Greqi që të udhëtojnë në segmentin e ri rrugorë Sarandë-Xarrë, rreth 25 kilometra, ose në segmentin rrugorë Krane-Konispol, i gjatë 35 kilometra. Ndërkohë, vjet në muajin tetor në kanalin e Vivarit u mbytën 5 vetë, përfshi dhe një nënë me foshnjën e vet 3 muajshe, në tentativë për të kaluar në mënyrë klandestine kufirin dhe për t’i shpëtuar patrullës së policisë kufitare në anën tjetër të lundrës.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›