E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ultimatum EULEX-it: Çështja e Protokollit, e mbyllur!



Blerina Olldashi
Autoritetet kosovare u kanë shprehur qëndrimin e tyre të prerë të akredituarve ndërkombëtarë, të cilët kishin vendosur të nënshkruanin një marrëveshje me Serbinë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u takuan me shefin e ICO-së, Piter Feith dhe atë të EULEX-it, Iv de Kermabon. Në këtë takim liderët kosovarë kërkuan që mos të diskutohet më për çështje që i takojnë vetëm shtetit të Kosovës. Një diskutim i gjithanshëm u zhvillua edhe për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, por vëmendja kryesore iu kushtua situatës së krijuar nga i ashtuquajturi Protokoll bashkëpunimi me Republikën e Serbisë. Siç thuhet në komunikatën te Presidencës, liderët e Kosovës ritheksuan qëndrimin e prerë në kundërshtim të këtij Protokolli. “Liderët e Kosovës ritheksuan qëndrimin e prerë në kundërshtim të këtij Protokolli dhe theksuan që me ditën e sotme të mbyllet përfundimisht çdo debat dhe bisedë në këtë temë”, thuhet në njoftim. Liderët u theksuan ndërkombëtarëve se vendimet i merr vetë shteti i Kosovës. “Institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane ne pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë detyrim dhe përgjegjësi për çështjet për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane”,- thuhet në komunikatë. Megjithatë krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës theksuan në takimin me Feith dhe Kermabon se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe ICO-në në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë takim është diskutuar edhe për gjendjen e tensionuar në Mitrovicë, të cilën liderët, njëzëri e kanë quajtur të papranueshme. Sipas tyre, duhet të krijohet një ambjent i përshtatshëm dhe i papengueshëm për kthimin në pronat e tyre të shqiptarëve dhe rindërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët. “Dhuna e demonstruar në Mitrovicë dhe shkatërrimi i pasurisë së EULEX-it janë të papranueshme. Për këtë arsye, institucionet dhe populli i Kosovës i dënojnë në mënyrën më të ashpër”,- thuhet në komunikatën për media të institucioneve të Kosovës. Lëvizja “Vetëvendosje” sulmoi dy ditë më parë rreth 30 automjete të ELUEX-it, të cilat ishin vendosur në qendër të Prishtinës në shenjë proteste ndaj bisedimeve që ky mision po zhvillonte me Serbinë për nënshkrimin e një protokolli për bashkëpunim policor. Ndërkohë një ngjarje tjetër e rëndë ndodhi në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë, kur shqiptarët u sulmuan nga serbët, të cilët kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive në atë zonë.

Presidenti Sejdiu, dekreton ambasadorin në Francë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekretuar dje Muhamedin Kullashin, si ambasador të Republikës së Kosovës në Francë, me seli në Paris. Dekretimi është bërë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në dhe në bazë të Dekretit Presidencial, të datës 18 qershor 2008, për themelimin e Misionit Diplomatik në nivel ambasade në Republikën e Francës, si dhe pas marrjes së miratimit të shtetit pranues për emërim të ambasadorit. Ndërkohë dy ditë më parë presidenti Sejdiu dekretoi Ariana Zherka-Hoxhën Ambasadore të Republikës së Kosovës në Republikën e Bullgarisë, me seli në Sofje. Javën e kaluar Presidenti Sejdiu ka dekretuar pesë ambasadorët e parë të Kosovës: Vilson Mirdita, Berlin (Gjermani), Avni Spahiu, Uashington (SHBA), Bekim Sejdiu, Ankara (Turqi), Gazmend Pula, Tiranë (Shqipëri), Anton Berisha, Lubjanë (Slloveni).

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›