E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Gjika ndihmoi në fushatë kandidatin e PD-së në Vlorë

 

Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, iu përgjigj dje përmes një prononcimi për mediat, akuzave të bëra nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, i cili e akuzonte atë si kryekriminelin e zgjedhjeve të 28 qershorit në një të përditshme. Islami e cilësoi kontributin e Gjikës në zgjedhjet e qarkut të Vlorës të dyshimtë dhe në favor të kandidatëve të Partisë Demokratike. “Kryetarë të bashkive socialiste, për fatin e keq, që kanë probleme me drejtësinë, e para; e dyta, që nuk kanë realizuar objektivin elektoral; e treta, në Vlorë gjëmon lajmi jo vetëm midis socialistëve, por midis gjithë popullit të Vlorës që kryetari i bashkisë bashkëpunon ngushtë me ish-deputetë të PD në ndërtimet që bëhen në Vlorë; e fundit, një nga arsyet e mosrealizimit të këtyre objektivave është fakti që ky kryetar ka shitur në favor të një kandidati në pozicionin 4 të PD-së votat e PS-së meqenëse janë bashkëpunëtorë dhe në ekipin e futbollit të Vlorës”, tha dje Islami. Akuzat e Gjikës për defekte të sistemit zgjedhor në adresë të njeriut, që e modeloi dhe përshtati këtë sistem në PS vijnë pas pozicionimit të Islamit kundër rikandidimit të Edi Ramës për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Gjika ka akuzuar Islamin si përgjegjësin kryesor të humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste. Nga ana tjetër Islami lëshoi akuza të rënda ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës, si i përfshirë në afera korruptive, të cilat e kanë shtyrë që të ndihmojë në vjedhjen e votave nga kandidatë të Partisë Demokratike në Vlorë. Akuzat mes Gjikës dhe Islamit janë të parat në këtë situatë dhe frymëzohen nga ndarja mes socialistëve për faktin nëse Edi Rama duhet të rikandidojë apo jo për kryetar të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e kryesisë socialiste të zhvilluar dy ditë më parë, Ben Blushi dhe Arben Malaj kanë akuzuar Edi Ramën se ka nxitur mbledhjet e asambleve socialiste në bashkitë e mëdha, përfshi këtu dhe Vlorën të cilat kanë dalë me peticion në mbështetje të Ramës për rikandidim dhe duke luftuar pjesën tjetër të deputetëve që kërkojnë respektimin ligjor të statutit. “Kush më garanton mua se ti nuk do të ndryshosh sjellje dhe qëndrim? Peticionet e asambleve të Vlorës, Korçës dhe bashkive të tjera janë shkruar nga e njëjta dorë, në të njëjtën zyrë dhe madje ndonjëherë janë dërguar nga korrierë të Bashkisë së Tiranës”, është shprehur Malaj në mbledhjen e kryesisë socialiste. Nuk qenë të paktë ata në PS, por dhe jashtë saj që pas zgjedhjeve të 28 qershorit hapën një debat në media në lidhje me sistemin zgjedhor. Sipas përkrahësve të kryetarit aktual, Edi Rama, sistemi zgjedhor dhe metodat e përllogaritjes së mandateve ishin shkaku kryesor i humbjes së PS në këto zgjedhje. Fakti që PS mblidhte vota në qarqe të ndryshme, por nuk arrinte t’i kthente ato në mandate deputetësh, u konsideruan si defekte të sistemit zgjedhor, ku Islami ishte i sulmuari kryesor, për shkak se ai punoi një kohë shumë të gjatë në negociatat mes PD dhe PS për reformën zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›