Aksident në autostradë, vdes 40-vjeçari i pa identifikuar
TIRANE - Një person i paidentifikuar i seksit mashkull, ka mbetur i vdekur gjatë natës së të martës në segmentin e autostradës Vorë-Tiranë. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur personi ende i paidentifikuar, ka qenë duke udhëtuar nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër. Personi që mendohet se mund të jetë rreth 40 vjeç, është përfshirë përpara nga një automjet që vinte me shpejtësi dhe më pas është hedhur në një pjesë të rrugës. Ndërkaq pas përplasjes viktima është shkelur edhe nga automjete të tjerë që ecnin në autostradë në orët e vona të mbrëmjes. Viktima është gjetur rreth orës 23:50, të ditës së martë kur një person ka lajmëruar policinë, se në rrugë ndodhej i aksidentuar një njeri. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur menjëherë hetimin, për zbardhjen e saj. Nga këqyrja e kryer policia ka vënë re se viktima është përplasur dhe shkelur nga mjetet duke e bërë të pamundur identifikimin e tij për shkak të dëmtimit të fytyrës dhe trupit. Për të identifikuar burrin e aksidentuar, ekspertët kanë marrë gjurmët e gishtërinjve të tij, për t’i krahasuar në Institutin e Policisë Shkencore nga specialistët përkatës. krahasimi i gjurmëve nuk ka identifikuar viktimën. Hetuesit tashmë presin që persona të interesuar për të afërm të humbur të kërkojnë në polici, ndërsa po mundohen të identifikojnë aksidentuesin tij. Ndërkaq për specialistët e policisë ende nuk është i qartë tërësisht mekanizimi i aksidentit duke qenë se trupi është dëmtuar shumë dhe shkelur prej mjeteve. Ndërkaq policia beson se shkak i aksidentit mund të ketë qenë tentativa e viktimës për të kaluar nga njëra anë e rrugës në anën tjetër të saj. d.b.