E Diel, 1 Nëntor 2026

Ra ky mort e dolëm në miting

Skënder Minxhozi 

Herën e fundit që u panë së bashku, rreth 700 tonë tritol kishin hedhur në erë Shqipërinë e Mesme duke marrë 26 jetë të pafajshme. Mesa duket edhe tani, kur po pritet që t’i bashkojnë edhe një herë duart, do të jetë sërish një miting i përmortshëm që do t’i detyrojë ta bëjnë këtë. Partitë e opozitës shqiptare reaguan shpejt dhe fort, ndaj vdekjes së një njeriu të mirë e kurajoz, që pati trimërinë të thotë publikisht gjëra që shumëkush i fsheh në skutat më të thella të ndërgjegjes së tij. Ikja nga kjo botë e Kosta Trebickës në atë mënyrë, në atë vend dhe mbi të gjitha në këtë moment, kanë qenë një kambanë alarmi që kanë shurdhuar për një çast dialogun e shurdhëve që vërejmë majtas. E tillë duket edhe opozita e personalizuar e absurde e LSI, edhe kundërpërgjigja e butë, por gjithaq kokëfortë e PS, edhe kalkulimet e vockla të një morie tjetër partish të majta, që i kanë tashmë sytë dhe mendjen tek kazani i zgjedhjeve. Ra ky mort e u pamë, do të thoshte Kadareja. Porse krerët e opozitës së sotme rrinë keq në raport me personazhet e shkrimtarit tonë të shquar. Aq më pak përshtaten me sagën e tij letrare, kulisat e sotme të një të majte që po vazhdon të vendosë në plan të parë “rregullimin e brendshëm” (kupto larjet e hesapeve brenda llojit) dhe vetëm në plan të dytë nevojën jetike që Shqipëria të kryejë si sot dhjetë muaj, një rotacion politik, që përherë e më shumë ka përmasat e një emergjence kombëtare. Vdekja misterioze dhe tragjike e Kosta Trebickës është nga ato zhvillime që i bëjnë të duken më meskine se asnjëherë tjetër, disa lojëra prej tregtarësh dhe disa inate fëminore që kanë me njëri-tjetrin shefat e sotëm të opozitës shqiptare. Kjo vdekje e konsumuar nën dyshimin e fortë të diçkaje të kurdisur, më shumë sesa të një incidenti banal me makinë, na çon në disa konkluzione, të cilat, edhe në rezultojnë pjesërisht të vërteta, mund ta fusin këtë vend në disa hulli shumë të padëshiruara.
Hija e krimit me sfond politik ka qenë bashkudhëtare e demokracive të pastabilizuara, si kjo e jona. Jo të paktë janë ata që, duke mësuar vdekjen e Trebickës, kanë kujtuar instinktivisht rastet e shumta të ngjashme që ndodhin sot e gjithë ditën në Rusinë e Putinit, apo kohë më parë në Serbinë e Gjingjiçit. Kjo ngjarje, megjithëse ende e pazbardhur, rimodelon në fakt konceptin që shumë prej nesh kemi për shtetin që na rri mbi kokë, për sigurinë dhe shenjtërinë e jetës së njeriut, që rëndom konsiderohet si guri themeltar i vendeve demokratike, për bazën e vlerave që kujtojmë se ndajmë dhe kultivojmë.
Përballë kësaj dileme të re dhe të rrezikshme, politika s’mund veçse të reagojë me mjetet e saj. Pra, politikisht dhe brenda kuadrit të sistemit. Dhe më e para gjë që mund të bëjë krahu politik i sotëm që ndjehet i kërcënuar, është që të angazhohet për t’i shkurtuar sa më shumë që të jetë e mundur ditët politike të palës që konsiderohet si kërcënuese. Opozita shqiptare e ka tashmë të qartë, me çmimin e një jete të vyer njerëzore, këtë mesazh të thjeshtë. Prej të cilit rrjedh natyrshëm një nevojë e re e madhe, e cila i tejkalon dukshëm problemet aktuale që kalon opozita e sotme dhe që kanë të bëjnë në një masë dërrmuese, me karriera dhe ambicie personale. Diferencat për sistemin zgjedhor, për peshën politike të njërit apo tjetrit dhe për afirmime personale në skenën politike shqiptare, janë gjithsesi inferiore dhe të parëndësishme përballë frikave që dominojnë sot subkoshiencën e votuesit shqiptar dhe që kanë të bëjnë me elementë shumë herë më konkretë dhe jetikë, se faktorët e mësipërm. Për të gjitha këto arsye, opozita e sotme duhet të gjejë motive dhe vullnet për t’u bashkuar jo vetëm në emër të të vdekurve, por edhe të të gjallëve që jetojnë dhe shpresojnë të jetojnë edhe në të ardhmen në këtë vend. E kjo është një moto për të cilën ia vlen edhe të harrosh, edhe të shkelësh mbi vetveten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›