E Diel, 1 Nëntor 2026

Kazinotë, ja kriteret e reja për licencim

 

Qeveria i ka dhënë ‘OK’ dje projektligjit të ti “Për lojërat e fatit”. Në projektligjin e ri janë përcaktuar të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë subjektet për të marrë licencën e ushtrimit të aktivitetit në këtë sektor. Përveç kësaj, qeveria ka përcaktuar edhe masat që do të merren ndaj atyre subjekteve që nuk paguajnë në kohën e duhur detyrimet tatimore, apo kur kanë shkelur ligjin. Gjoba do të jetë penaliteti minimal, pasi në raste të caktuara janë parashikuar që penalitetet të arrijnë deri në sekuestrim të llogarive bankare dhe pasurive të subjektit. Për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, organi i cili do të lejojë organizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e tyre është Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ose NJMLF. Këtu përjashtohen vetëm lojërat promocionale, për të cilat është parashikuar si autoritet përgjegjës ministri i Financave. Sipas projektligjit të ri, shoqëria për organizimin e basteve sportive, për garat në pistë, kazinosë elektronike, bingos apo bingos televizive mund ta ushtrojë veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ndërkohë shoqëritë që janë të licencuara në fushën e lojërave të fatit duhet të derdhin në buxhetin e shtetit 1 për qind të xhiros vjetore. Këto të ardhura janë parashikuar që të përdoren për financimin e ushtrimit të veprimtarisë së NJMLF-së. Kjo e fundit ka të drejtë që të vendosë masën e gjobës në rastet kur vërejnë se subjektet kanë shkelur ligjin. Gjithashtu Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit verifikon nëse mjetet e lojërave të fatit janë të certifikuara apo jo. Sipas projektligjit të ri, licenca për kazino mund të jepet për një periudhë 10-vjeçare. Për marrjen e saj aplikanti duhet të paguajë një shumë të menjëhershme prej 1 miliard lekësh për Tiranën dhe 300 milionë lekësh për kazinotë në zonat turistike. Pagesa kryhet në një nga bankat e nivelit të dytë në vend për llogari të organeve tatimore. Por përpara se të marrë licencën për kazino, subjekti përkatës më parë duhet të paraqesë vlerën e kapitalit të shoqërisë, e cila nuk duhet të jetë më e vogël se 1.2 miliardë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›