E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokainë në burg, pranga 50-vjeçares

Prangoset 50-vjeçarja që tentoi të fuste në burg kokainë për vëllain e dënuar. 

Fatos Mahmutaj
Ngjarja ka ndodhur në burgun e Rrogozhinës, mesditën e së martës kur është arrestuar 50-vjeçarja nga Lushnja Luljeta Drugu, e cila po tentonte të dërgonte lëndën narkotike në qelinë e vëllait të paraburgosur në këtë institucion. Burime të policisë pohojnë se specialistët e antidrogës arrestuan në flagrancë 50-vjeçaren Luljeta Drugu, me origjinë nga qyteti i Lushnjës dhe banuese në Tiranë, pasi asaj iu gjet lënda narkotike e fshehur mes veshjeve që po i dërgonte vëllait. Ndërsa burime nga burgjet pohojnë se lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit rutinë të policisë së burgut. Mësohet se 50-vjeçarja ishte paraqitur në ambientet e jashtme të burgut të Rrogozhinës rreth orës 09:00 të mëngjesit. Ajo kishte udhëtuar nga kryeqyteti drejt Rrogozhinës, ndërsa kishte me vete një çantë me ushqime dhe tesha që ia dërgonte vëllait të burgosur. Pasi ka pritur rreth dy orë në radhë, ajo ka dorëzuar çantën te kontrolli, ndërsa priste të mbaronin procedurat dhe pas kësaj të hynte për të takuar të vëllain. Gjatë kontrollit, në xhepin e një palë tutave sportive kontrollorët kanë zbuluar lëndën narkotike të futur në dy qese të vogla plastike. Kjo ka bërë që të gjitha sendet e tjera dhe ushqimet që kishte sjellë 50-vjeçarja t’iu nënshtroheshin kontrollit të imtë. Pas peshimit rezultoi se, lënda narkotike e dyshuar të jetë e llojit kokainë, peshonte rreth 1.1 gramë, ndërsa policët e burgut vendosën t’i bllokonin 50-vjeçares pasaportën me të cilën ajo ishte paraqitur për të hyrë në ambientet e burgut, një kartë telefoni celular, për të cilën nuk dihet nëse kishte apo jo destinacion qelinë, çantën në të cilën ndodheshin sendet që do dërgoheshin në qeli dhe tutat sportive në xhepin e të cilave ishte fshehur narkotiku. Pas kësaj është njoftuar policia e Kavajës, nën juridiksionin e së cilës ndodhet qyteti i Rrogozhinës. Pas mbërritjes policët kanë shoqëruar në qelitë e komisariatit 50-vjeçaren, e cila mësohet se është marrë në pyetje nën akuzën e shpërndarjes së narkotikëve dhe dërgimit në qeli të sendeve të ndaluara. Paraprakisht mësohet se ajo e ka mohuar akuzën duke pretenduar se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike të futur në xhepin e tutave sportive. Thuajse të njëjtën gjë ajo ka pohuar edhe në momentin kur e kanë pyetur punonjësit e sigurisë së burgut, të cilët kanë zbuluar drogën mes teshave. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet që 50-vjeçarja të dërgohet në Gjykatën e Kavajës për masë sigurie, ndërsa Prokuroria pohoi që dje të kishte plotësuar dosjen e hetimeve paraprake.

9 shkurt 2008
Dy baxhanakë u ndaluan nga gardianët e burgut të sigurisë së lartë të Burrelit, pasi gjatë kontrollit të ushqimeve, që po i dërgonin kunatit të tyre, Kujtim Barbullushi, i dënuar me 9 vite burg për vrasje, iu gjeten 30 gramë lëndë narkotike e dyshuar si marihuanë. Pas zbulimit policia vuri në pranga 40-vjeçarin Ridvan Zaja, 48-vjeçarin Sabah Kraja, të dy nga Shkodra.

22 shkurt 2006
Rezart Halili, polic në paraburgimin “Jordan Misja”, ka tentuar të fusë në qeli një qese në të cilën kishte fshehur hashash. Kontrolli i imtësishëm nga kolegët e këtij institucioni, ka bërë që në xhepat e policit të gjendet droga. Më pas drejtues të paraburgimit kanë lajmëruar policinë, e cila ka shoqëruar në qeli Halilin, ndërsa ka rezultuar se droga peshonte rreth 30 gramë.

18 maj 2007
Gjatë një kontrolli të imtë në qelitë e burgut të Peqinit specialët e burgjeve zbuluan një sasi prej 10 gramësh heroinë në një qeli ku qëndronin katër të dënuar. Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Elbasanit, të ndihmuar nga autoritet e burgut rezultoi se lënda narkotike i përkiste një të dënuari nga Pogradeci, të cilit ia kishin sjellë familjarët pak ditë më parë.

Burgjet

“S’lëshojmë pe për kontrollet e familjarëve”
TIRANE - Familjarët e të dënuarve e të paraburgosurve tentojnë në vazhdimësi ditë më parë, krerët e burgut të Peqinit pohuan se nuk lëshonin aspak pe, përsa i përket kontrollit të imtësishëm të familjarëve së të dënuarve, pasi sipas tyre janë shënuar me dhjetëra raste, kur personat që paraqiten në burg për të takuar familjarët e burgosur fshehin nëpër xhepa apo mes sendeve e ushqimeve që dërgojnë në qeli lëndë narkotike dhe celularë. Por shpeshherë janë shënuar edhe raste, kur është tentuar të dërgohen armë të ftohta te të burgosurit. Falë kontrolleve të detajuara me mjete të sofistikuara, mjaft prej këtyre rasteve kanë mbetur në tentativë, ndërsa kontrollet e shpeshta dhe të paparalajmëruara në qeli kanë zbuluar mjaft celularë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›