E Diel, 1 Nëntor 2026

Furtunë lëvizjesh në burgje, ikin dy drejtorë, një tjetër jep dorëheqjen

 

TIRANE - Furtunë lëvizjesh në burgje, ikin tre drejtorë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohojnë se dje është firmosur lirimi nga detyra e drejtoreshës së burgut 325, Marinela Sota, e cila është emëruar në krye të Akademisë së Policisë së Burgjeve, në Vaqar. Ne vendin e mbetur bosh nga Sota është  emëruar Beqir Metani. Ndërkohë, të martën i është pranuar dorëheqja e parevokueshme kreut të burgut të Rrogozhinës, Nazmi Totraku. Shkak për dorëheqjen, drejtori Totraku që drejtoi këtë burg prej katër vitesh ka paraqitur arsye familjare. Në vendin e mbetur bosh prej tij është komanduar nëndrejtori i institucionit. Po kështu, lëvizje ka pasur edhe në burgun e Lezhës, Drejtori i institucionit Islam Islamaj është larguar nga detyra, për t’u emëruar në administratën e burgut. Ndërsa vendin e tij e ka zënë juristi i institucionit. Burime nga burgjet pohojnë se lëvizjet në këtë sektor janë bërë në kuadër të reformave për përmirësimin e punë në këto institucione. Ndërkohë, vetëm dy javë më parë krerët e burgjeve firmosën transferimin e rreth 20 policëve të burgjeve nga Tirana në Fushë-Krujë, duke argumentuar këtë veprim me faktin e ngritjes së nivelit të punës në burgun që është inauguruar vetëm pak javë më parë. ndërkohë burime nga burgu i Burrelit pohojnë se prej tre javësh 8 policë të këtij institucioni nuk kanë mundur të tërheqin rrogat. Këta ishin transferuar nga Peqini, ndërsa borderotë me emrat e tyre nuk janë transferuar në institucionin tjetër.                          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›