E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në autostradë, vdes shoferi 15 vjeç

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur dje në mëngjes në autostradën Durrës-Morin, në afërsi të Kukësit. Një djalë 15 vjeç ka humbur jetën, pasi makina e tij u përplas me një automjet tjetër. Policia e Kukësit saktësoi se ngjarja ndodhi në orët e paradites së të premtes në segmentin Ura e Drinit të Zi-Mamëz, në lagjen "Drinas", ku autovetura tip "Volkswagen Golf", me targa Kukësi, e drejtuar nga 15-vjeçari Platin Mehmeti është përplasur me një "Mercedes Benz" me targa Tirane, të drejtuar nga shtetasi turk Aili Galip Osturk, 35 vjeç. Nga përplasja e fuqishme ka mbetur i vdekur në vend 15-vjeçari Mehmeti, banor i lagjes "Drinas" të Kukësit, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër ka marrë lëndime të lehta. Burime të policisë thonë se shkaku i aksidentit ka qenë tejkalimi i shpejtësisë, por për këtë rast është ngritur çështja penale dhe dosja është dërguar në prokurori. Në segmentin Kalimash-Morin të autostradës ky është aksidenti i parë me pasojë vdekjen, që nga fillimi i funksionimit të autostradës në njërin nga akset e saj. Drejtimi i mjeteve nga adoleshentët ka qenë një nga problemet serioze me të cilat është përballur qarkullimi rrugor në Kukës, veçanërisht në autostradë si dhe brenda qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›