Prostituta e masakruar varroset në vendlindje pas dhjetë vjetësh
Eshtrat e një vajze të vrarë dhjetë vjet më parë në Itali janë kthyer këtë javë në vendlindje. Familja e Hekuran Beqirit ka tashmë një varr për Enkelejdën që u zhduk që në vitin 1994, por Hekurani dhe Bejzania nuk mund të jenë të qetë, për sa kohë e dinë se njerëzit që e shfrytëzuan si prostitutë dhe më pas e vranë vajzën e tyre, janë ende të lirë. Enkelejda Beqiri do të ishte sot 34 vjeçe, por në vitin 1999 u vra në Itali dhe trupi i saj u gjet dy vjet më pas pranë Milanos. Sipas prindërve të Enkelejdës, Bejzanes dhe Hekuranit, autorët e vrasjes së vajzës së tyre sot janë të lirë. "Në vitin 1999 humbëm çdo kontakt me vajzën. E kërkuam në fillim nëpërmjet të afërmve dhe të njohurve që ndodheshin në Itali, por askush nuk dinte gjë. Më pas na mori djali që u hoq si burri saj në telefon dhe na tha që vajza ishte larguar nga ai", thotë nëna. Prindërit tregojnë se i janë drejtuar më pas Policisë së Fierit, ku kanë kryer denoncimin për zhdukjen e vajzës dhe kanë ngritur dyshimet për përfshirjen e disa "të fortëve" të Fierit në këtë zhdukje. Policia në Fier dhe në Lushnjë nuk dha asnjë informacion. Vetëm pas gjashtë vjetësh, Interpol Tirana njoftoi prindërit se vajza e tyre kishte vdekur dhe se trupi i saj ishte gjetur rastësisht në vitin 2001 në një pyll afër Milanos. Edhe pasi u konstatua se eshtrat e gjetura në pyll ishin të Enkelejda Beqirit, familja nuk mundi t‘i tërhiqte ato për t‘i varrosur në vendlindje. U deshën rreth tetë vjet, që në rrugë private ata të mundësonin sjelljen e eshtrave të vajzës në shtëpi. Të enjten pasdite, në shtëpinë e Hekuran Beqirit në Kolonjë u hap edhe një herë morti dhe të afërmit përcollën për në banesën e fundit atë që kishte mbetur nga Enkelejda. Nëna është më e qetë tani që ka një varr ku ta qajë vajzën, por ajo e di se njerëzit që ia morën atë kur ishte vetëm 19 vjeçe, e shndërruan në prostitutë dhe më pas e masakruan, nuk e kanë marrë ende dënimin, edhe pse policia i ka identifikuar dhe i ka vënë në pranga për krime të tjera.