E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të ndalonte makinat pa targa, nën hetim polici

Një agjent krimesh në Komisariatin e Fierit është bërë objekt hetimi nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit. Shkak është bërë përdorimi i armës së shërbimit nga agjenti i krimeve. SHKB-ja e ka vënë në dijeni agjentin se po hetohet, ndërkohë që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, që mund të kishte përfunduar edhe me të lënduar apo me viktima.

Sipas burimeve zyrtare të SHKB-së së Fierit, paraditen e së premtes ka nisur zyrtarisht hetimi për agjentin e krimeve të quajtur Alket Zeneli. Ngjarja për të cilën Zeneli po hetohet ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në lagjen "8 Shkurti" të qytetit.

Burimet policore tregojnë se Alket Zeneli, i cili prej pak kohësh punon si agjent krimesh në Komisariatin e Fierit, ka qenë i vetëm dje në orën 02:00 të mëngjesit në një rrugë dytësore të qytetit, në afërsi të lagjes "8 Shkurti". Po duke iu referuar burimeve të policisë mësohet se ai ka parë tre automjete pa targa që qarkullonin në këtë rrugë dytësore dhe u ka bërë sinjal drejtuesve të tyre që të ndalojnë. Fillimisht drejtuesit e tre mjeteve nuk kanë ndaluar, por pasi kanë përshkuar disa metra kanë vendosur të komunikojnë me policin. Mësohet gjithashtu se mes personave që ndodheshin në këto mjete pa targa, që konfirmohet se janë banorë të qytetit të Fierit e që e kanë mbiemrin Gurguri dhe agjentit të krimeve Alket Zeneli, janë shkëmbyer sharje dhe ofendime. Pas kësaj tre drejtuesit e mjeteve janë larguar nga vendi i ngjarjes për t‘i çuar automjetet në unazën veriore të qytetit të Fierit. Por kur makinat po largoheshin, konfirmohet se agjenti i policisë ka qëlluar dy herë me pistoletën që mbante në brez në drejtim të tyre. Fatmirësisht plumbat nuk kanë prekur as makinat dhe as dhjetë personat që ndodheshin në to. Më pas agjenti i krimeve ka njoftuar sallën operative të policisë së Fierit. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë së rendit si dhe specialistët e SHKB-së. Konfirmohet se tre mjetet pa targa janë gjetur në unazën veriore dhe janë bllokuar prej policisë. Ato janë transportuar për në mjediset e Komisariatit të Fierit. Pronarët e tyre së bashku me shoqëruesit i kanë thënë policisë në vendngjarje si dhe specialistëve të SHKB-së se pa pasur një mandat, agjenti Zeneli i kishte ndaluar dhe kishte treguar sjellje jo të hijshme me ta. Madje ata kanë qenë të parët që denoncuan për qëllimin në drejtim të tyre me armë zjarri. Nga kjo dëshmi e dhënë nga dhjetë burrat me mbiemër Gurguri, policia ka nisur hetimet ndaj efektivit të saj. Sipas kreut të SHKB-së së Fierit, Barjam Bashkurtaj, agjenti i krimeve është gjetur i veshur me jelek antiplumb në vendin e ngjarjes. "E kemi gjetur me jelek antiplumb dhe na tha se e kishte për vetëmbrojtje", tha Bashkurtaj, pa dhënë sqarime të mëtejshme për këtë detaj.

Mësohet se deri tani nuk është gjetur ndonjë provë për përdorimin e armës së zjarrit. "Kontrolli ynë në mesnatë, në afërsi të vendit të ngjarjes, nuk i ka gjetur gëzhojat e plumbave dhe dyshohet nga ne për prishje të vendit të ngjarjes. Megjithatë, vijimi i hetimeve do të zbardhë gjithçka", tha kreu i SHKB-së së Fierit

Dje në mesditë, agjenti Alket Zenelaj është marrë në pyetje nga policia dhe nga specialistët e SHKB-së. Ai ka dhënë versionin e tij duke deklaruar se jelekun antiplumb e ka veshur për vetëmbrojtje dhe po për vetëmbrojtje ka kërkuar edhe ndihmën e forcave të tjera policore. Ndaj tij pritet që të merren masa disiplinore deri dhe largim nga puna. Megjithatë hetimet do të tregojnë përfshirjen e tij në një vepër penale apo jo. SHKB-ja e Fierit numëron me dhjetëra raste hetimesh nga efektivët e policisë, që gjatë kryerjes së punës së tyre kanë shkelur ligjin për Policinë e Shtetit, si dhe për punonjësit në shërbim të strukturave policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›