E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shtyn qeverinë: Të mbyllen më parë negociatat me aleatët

Kryeministri Sali Berisha do të detyrohet të mos i përmbahet premtimit të dhënë disa ditë më parë për shpalljen e kabinetit të ri përpara datës 7 shtator, të hënën kur mblidhet për herë të parë Kuvendi i ri. Mësohet se Kryeministri Berisha do ta bëjë këtë pas nisjes së punimeve të legjislaturës së re parlamentare.

Çka do të thotë se për shpalljen e kabinetit të ri qeveritar do të duhen të paktën edhe 4 ditë, rreth datës 8 ose 9 shtator, gjë që koinçidon me kohën kur ai do të paraqesë para Parlamentit programin dhe përbërjen e re të Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se do të zgjasë edhe për disa ditë ankthi mes radhëve të demokratëve se cilët prej tyre do të mbeten në postet ministrore, cilët do të ikin dhe cilët do të jenë të rinjtë. Deri më tani, Kryeministri Berisha nuk ka komunikuar me asnjë prej funksionarëve kryesorë të PD-së, duke lënë kështu në ankth secilin prej tyre nëse do të jenë apo jo pjesë e zgjedhjes së kreut të qeverisë për kabinetin e ri. Berisha u ka lënë të kuptohet të tijve se emrat e tyre do të nisin të diskutohen pasi të jetë mbyllur përfundimisht çështja me aleatët, të cilët kanë shprehur publikisht preferencat e tyre për postet ministrore. Me LSI-në tashmë ky kapitull është mbyllur dhe me PR-në marrëveshja merr formën përfundimtare sot, ndërkohë që mbeten edhe drejtuesit e PDI-së për t‘u kontaktuar, pasi dhe kjo forcë politike ka një mandat deputeti dhe ka shprehur dëshirën e saj për të qenë pjesë e kabinetit të ri qeverisës si në rang ministrash ashtu edhe në pozicionin e zëvendësministrave, ambasadorëve apo drejtorëve të drejtorive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›